Qeveria certifikon dështimin në auditin e brendshëm – Raporti/ Cilësia e kontrollit, jo pranë standarteve. Të ndryshohet ligji
Qeveria ka certifikuar dështimin në kontrollin e brendshëm financiar publik pasi ende nuk është zhvilluar në të gjitha njësitë buxhetore. Në raportin e nxjerrë për konsultim publik për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2023 – 2025 renditen pengesat që kanë çuar në ngadalësimin e zbatimit të këtij sistemi kontrolli.
Moskuptimi i duhur i qëllimit dhe përfitimeve të zbatimit të KBFP -së në nivelin menaxherial, menaxhimi aktiv i riskut dhe përfshirja e tij në proceset financiare dhe operacionale të njësisë, monitorimin dhe raportimin në kohën e duhur dhe me cilësi të gjendjes së sistemit të kontrollit të brendshëm, mosidentifikimi i qartë i proceseve të punës, roleve dhe përgjegjësive në procedura të ndryshme janë disa nga problematikat që ekzistojnë.
Ndërkohë menaxhimi i riskut është ende në një fazë të hershme në të gjitha nivelet dhe duhet të përfshihet më mirë në menaxhimin e proceseve financiare dhe operacionale. Gjithashtu rishfaqja e detyrimeve të prapambetura tregon joefektivitet për atribuimin jo të plotë të përgjegjësive dhe kontrolleve të angazhimeve financiare.
Përsa i përket përgjegjësisë menaxheriale nuk është ende plotësisht e rregulluar në legjislacion dhe në praktikë, një numër shumë i vogël vendimesh administrative delegohen në nivele më të ulëta për shkak të sistemit të centralizuar të vendimmarrjes.
Në dokument thuhet se nevojiten përpjekje të forta për zbatimin e reformave të KBFP-së përtej Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Raporti i Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2023 – 2025 sugjeron ndryshimin e ligjit për auditimin e brendshëm në sektorin publik për të mbështetur në analizën e mangësive të realizuar nga Drejtoria e Harmonizimit, e Auditit të Brendshëm, dhe ekspertët e SIGMA-s dhe ndryshimet në ligj duhet të pasohen me ndryshime të tjera të nevojshme në aktet e tjera nënligjore.
Sa i përket praktikës së auditimit të brendshëm, funksioni i auditimit të brendshëm ende nuk lëshon opinione auditimi për efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm nëpër njësitë buxhetore. Cilësia e aktiviteteve të auditimit është ende vetëm pjesërisht në përputhje me Standardet IIA dhe kërkesat ligjore.
Procedurat e kontrollit të brendshëm të cilësisë së auditimit të brendshëm duhet të bëhen në përputhje me standardet dhe plotësisht funksionale. Monitorimi i zbatimit efektiv dhe në kohë të rekomandimeve të auditimit të brendshëm duhet të përmirësohet. Kapacitetet dhe aftësitë profesionale të audituesve të brendshëm duhet të forcohen dhe rriten më tej.
Marinela Lina / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.