Qeveria dështon me taksën mbi produktet e qumështit – U dëmtuan bizneset, propozohet heqja për hirrën dhe krem qumështin
Qeveria është tërhequr nga “eksperimenti” i vendosjes së taksës mbi hirrën e qumështit dhe krem qumështin. Ditën që në Parlament është miartuar buxheti 2023 dhe një pjesë e paketës fiskale, në komisionet kuvendore është depozituar për diskutim projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”, i cili nuk u trajtua bashkë me ndryshimet e tjera në taksa.
Sipas draftligjit, vendosja e taksës së hirrës së qumështit ka ndikuar në rritjen e kostove të produkteve për kompanitë eksportuese, të cilat për prodhimin e produkteve të tyre përdorin si lëndë të parë hirrën e qumështit.
Kjo rritje e kostove ka bërë që produktet shqiptare të mos jenë konkurruese, kryesisht në tregjet ndërkombëtare. Në këtë kuadër propozohet dhe ky projektligj, i cili parashikon heqjen e taksës për produktin hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi.
Në realcion theksohet se gjatë këtij viti, në të cilin janë aplikuar këto taksa, ka pasur shumë kërkesa për rishikimin e tyre nga subjektet eksportuese, të cilat përdorin si lëndë të parë hirrën e qumështit për prodhimin e produkteve të tilla si, kruasantët, biskotat dhe produkte të tjera të kësaj natyre.
Po ashtu është bërë dhe një vlerësim i të ardhurave që janë mbledhur në buxhet nga këto taksa të cilat rezultojnë në në nivele të ulëta, me rreth 13.6 milionë lekë, për periudhën janar-shtator 2022 dhe parashikohet të arrijnë në total 18 milionë lekë gjatë gjithë vitit.
Për këtë arsye qeveria ka vendosur të kthejë mbrapsh vendimin e marrë në fillim të vitit me qëllim nxitjen e prodhimit të produkteve vendase dhe eksportimin e tyre në tregjet ndërkombëtare. Taksa për importimin dhe prodhimin e hirrës së qumështit krem qumështit është aplikuar në vlerën 150 lekë/litër.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.