Qeveria tregon se ku ka dështuar me koncesionet – Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka kapacitet kontrollues mbi PPP-të
Pas kritikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, opozitës dhe ekspertëve lidhur me praktikat e dyshimta të ndjekura për koncesionet dhe shpërdorimin e pasurive publike, vetë qeveria pranon dështimin në këtë drejtim. Në programin e Reformave Ekonomike 2023-2025, dokument i cili do ti dorëzohet Komisionit Europian, thuhet se “Shkrirja e Ministrisë së Ekonomisë me Ministrinë e Financave ka paraqitur problem të koordinimit me menaxhimin e PPP-ve brenda kornizës së përgjithshme të Menaxhimit të Investimeve Publike (MIP)”.
Më parë, Ministria e Ekonomisë dhe e Energjetikes kanë qenë një institucion dhe më pas Ekonomia është bërë pjesë e Ministrisë së Financave, në dokument shtohet gjithashtu se “brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kapaciteti për vlerësimin, monitorimin dhe menaxhimin e të gjitha investimeve publike duke përfshirë PPP-të është i fragmentuar.
Ndërkohë që evidentohet edhe mungesa e rregullave/kritereve të qarta në lidhje me përzgjedhjen dhe përfshirjen e projekteve të propozuara në Programin Buxhetor Afatmesëm. Sa i takon në tërësi investimeve strategjike publike, bëhet me dije se planet tepër optimiste, hartimi joadekuat i projekteve, mungesa e planifikimit të fondeve për projekte afatgjata, alokimet e shumta gjatë vitit, ndarja e projekteve dhe kapaciteti relativisht i dobët i menaxhimit të projekteve kanë kontribuar në joefikasitetin në ofrimin e Menaxhimit të Investimeve Publike (MIP).
Për këtë arsye, qeverisa synon të ndërhyjë në zhvillimin e një procedure të re të investimeve publike duke përfshirë një PPP; Forcimin e kapaciteteve në të gjithë qeverinë për të vlerësuar projektet e investimeve publike; si dhe përmirësimin e monitorimit të investimeve publike duke përfshirë projektet PPP dhe koncesionet.
Një ditë më parë deputetja demokrate Jorida Tabaku ka propozuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ndryshime në ligjin për koncesionet me qëllim forcimin e kritereve dhe shmangien e abuzimeve. Ndërsa Ministria e Financave është shprehur se po punohet mbi një draft të plotë i cili pritet të miratohet deri në fund të vitit.
Deputetë të opozitës dhe mazhorancës kanë propozuar moratorium mbi PPP-të deri në miratimin e këtij ligji, kërkesë e cila deri më tani nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.