Qytetarët, me “humbje” nga dobësimi i euros – Bie vlera e kusimeve të mbajtura në depozitat në monedhën evropiane
Ledina Elezi/SCAN
Depozitat në monedhë të huaj dhe në monedhë vendase shënuan rënie në fund të muajit qershor. Shifrat tregojnë një rënie të vlerës së përgjithshme të depozitave në valutë, teksa vetëm ato në euro kanë pasur një rritje shumë të vogël. Gjithashtu, depozitat në lekë kanë pësuar një rënie me 2.9 miliardë, nga 779 miliardë që ishte në fund të majit.
Referuar të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në 1.6 trilionë ka arritur vlera totale e depozitave në banka deri në fund të muajit qershor, me një rritje të papërfillshme nga viti i kaluar, të shkaktuar kryesisht nga depozitat në euro. Nga kjo shumë totale e depozitave, rreth 849 miliardë janë në valutë, 7.5 miliardë prej të cilave në euro dhe 776 miliardë në monedhën kombëtare.
Që prej vitit të kaluar, kursi i këmbimit është shoqëruar me luhatje të forta. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, monedha evropiane paraqitet në “gjendje qetësie”, duke u këmbyer pranë kufirit të 100 lekëve. Pavarësisht se euro nuk është monedha bazë e vendit, ky nënçmim i euros në raport me lekun ka ndikuar në zhvlerësimin e kursimeve në euro kur konvertohen në lek dhe në norma më të ulëta të ofruara për depozitat në euro. E thënë ndryshe, të gjithë ata që kanë depozita në euro dalin me humbje nga dobësimi i saj.
Konkretisht, depozitat e mbajtura në euro do të humbasin vlerën kur këmbehen me një monedhë kombëtare më të fortë. Kjo do të thotë që të gjithë ata që kanë kursime në një llogari në valutë të huaj, vlera e kusimeve në monedhën vendase ulet. Gjithashtu, forcimi i monedhës vendase mund të ndikojë në normat e interesit. Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit, si për lekun ashtu edhe për euron, nga niveli 3.25% në nivelin 3.0%, duke zbutur disi trendin e mbiçmimit.
Me euron në rënie, individët po rishqyrtojnë mbajtjen e depozitave në këtë monedhë dhe në muajt në vijm mund të ketë një zhvendosje të kursimeve të tyre në monedhën kombëtare. Efekti kryesor i dobësimit të euros mbetet ulja e vlerës së depozitave në valutë të shprehur në lek, ndërkohë që ndikimi në depozitat në monedhën vendase varet nga normat e interesit dhe dinamika e inflacionit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.