Raporti i Tranzicionit të BERZH – Sejko: Stabiliteti i çmimeve, objektiv prioritar i punës së Bankës së Shqipërisë
Në prezantimin e raportit të tranzicionit të BERZH-it, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se kryefjala e Raportit të këtij viti janë pasojat ekonomike të konfliktit ushtarak në Ukrainë, të para këto si në planin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë duke përmendur gjithashtu se rritja e çmimeve u kthye në një sfidë dhe objektivi ishte stabiliteti i situatës.
Sejko u shpreh se pas përfundimit të emergjencës së pandemisë, ekonomitë e rajonit u detyruan të përballen me një sfidë tjetër madhore, sfidë e cila rrezikoi stabilitetin ekonomik e financiar dhe dëmtoi perspektivat e rritjes për të ardhmen. Në mënyrë të natyrshme, ekonomia shqiptare nuk bëri përjashtim nga ky realitet. Pas një rimëkëmbjeje të shpejtë e të plotë ekonomike gjatë vitit 2021, goditja e ofertës së huaj u transmetua direkt në kostot e prodhimit dhe në çmimet e konsumit. Për rrjedhojë, rritja e inflacionit u përshpejtua, duke arritur në nivele të pashënuara prej disa dekadash.
“Për vendimmarrësit e sektorit publik, rritja e shpejtë dhe e gjithanshme e çmimeve, parashtroi sfidën e dyfishtë të zbutjes së pasojave ekonomike e sociale në afatin e shkurtër dhe të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit në afatin e mesëm dhe të gjatë. Për të arritur këto qëllime, sikundër nënvizon dhe Raporti i Tranzicionit, harmonizimi i politikës monetare me atë fiskale ka qenë dhe mbetet një tipar esencial i politikave të suksesshme ekonomike”, tha Guvernatori Sejko duke shtuar se stabiliteti afatmesëm dhe afatgjatë i çmimeve ka qenë dhe mbetet objektivi prioritar i punës së Bankës së Shqipërisë.
“Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten – në tërësinë e tyre – të shëndetshme”, shtoi Sejko.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.