Raporti i veprimtarisë së AMF/ Mete: Viti 2021, edhe pse sfidues shënoi një rimëkëmbje të shpejtë të tregjeve financiare nën mbikëqyrje!
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi më 10 maj në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2021.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se viti 2021, edhe pse sfidues për ekonominë si pasojë e presionit të ushtruar nga rikthimi i valës së pandemisë, shënoi një rimëkëmbje e rritje të shpejtë të tregjeve financiare nën mbikëqyrje. ‘Qëndrueshmëria e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit, përfshirë këtu edhe trajtimin e pagesave të tërmeteve, sugjeron se sektori ka kapacitetin të përballojë presionet e mundshme nga rreziqet e shtuara që paraqet situata aktuale,’ u shpreh Mete.
Më tej, Mete u ndal te ecuria e tregjeve nën mbikëqyrje për muajt e parë të vitit 2022, ku sipas tij konstatohet se tregu i sigurimeve dhe ai i pensioneve private kanë vijuar rritjen, ndërsa asetet e tregut të fondeve të investimeve pësuan rënie me rreth 1% në tremujor, kryesisht si pasojë e luhatshmërisë në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Duke u ndalur te riformatimi i bazës ligjore e rregullatore, për të cilat Autoriteti mori vlerësime edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Europian, Mete nënvizoi se ligjet e reja kanë dhënë impakt në tregje. Sipas njoftimit ligji për sigurimin e detyrueshëm dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij sollën rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, si edhe reduktim të afateve për trajtimin e dëmeve me vlerë deri në 100 mijë lekë. Janë adresuar problematikat lidhur me Fondin e Kompensimit, ku për herë të parë është krijuar një fond garancie, në vlerën prej 150 milionë lekë, për t’u përdorur për rastet e pagesave që shkojnë për Fond Kompensimi dhe gjithashtu, janë ulur komisionet e ndërmjetësimit me të paktën 9%, nga 27.5% në 18.5% në nivel tregu për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Ligjet e reja për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe për tregjet e kapitalit kanë përafruar legjislacionin shqiptar me Direktivat Europiane, kanë modernizuar kuadrin ligjor për këto tregje, si edhe kanë krijuar mundësi të reja ndërlidhjeje me tregjet financiare ndërkombëtare, bëri me dije Mete.
Ofrimi i shërbimeve që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik në portalin e-Albania u veçua si një zhvillim i rëndësishëm për vitin 2021 nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së i cili vuri në dukje se rreth 680 mijë qytetarë të cilët pajisen çdo vit me një policë së sigurimit të detyrueshëm motorik, (tpl apo karton jeshil) mund të aksesojnë informacionet apo vërtetimet e nevojshme në lidhje me vlefshmërinë e policës së tyre aktuale të sigurimit, historikun e sigurimit të mjeteve, historikun e dëmeve, si dhe të njoftohen në kohë përpara afatit të skadimit të siguracionit të tyre, në mënyrë që ta rinovojnë atë.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.