Rekord rritje çmimesh në 2022, “fajtorët” kryesorë – Forcimi i Lekut nuk amortizoi dot inflacionin e importuar. “Çmenden” karburantet, buka, drithërat

Ndërsa çmimet po vazhdojnë të shënojë rekorde historike, të dhënat e Bankës së Shqipërisë fajësojnë inflacionin e importuar si shkaktarin kryesor, ndërkohë që presionet e u shtuan edhe nga vetë tregu i brendshëm, me bizneset që rritën kërkesën për mallra e shërbime në vend. Ndërkohë që faktori tjetër duket se ka natyrë psikologjike dhe lidhet me rritjen e pritjeve për inflacionin.
Por cilët janë grupet kryesore që qëndrojnë pas normave rekord të inflacionit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, ai u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të mallrave ushqimore të përpunuara dhe të mallrave energjetike. Në total, këto kategori formuan rreth 70% të inflacionit.
Më specifikisht, në tremujorin e dytë të këtij viti, çmimet e karburanteve kanë kontribuar me 45.6% në vlerën totale të inflacionit, të ndjekur nga bukë dhe drithëra kontributi i të cilave është 18.1%. Mallra konsumi joushqimore, është grupi i tretë për nga pesha e ndikimit në inflacion me 12.4%, i ndjekur nga grupi Ushqime të papërpunuara, që ka një kontribut prej 6.2%.
Sa për inflacionin e importuar, shkaktarin kryesor të situatës së çmimeve, të dhënat e Bankës së Shqipërisë evidentojnë se Rritja vjetore e treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste u ngjit në 26.8%, në periudhën prill-maj 2022, duke vazhduar tendencën përshpejtuese nga 16.0% në tremujorin e parë të vitit dhe 10.9% në tremujorin e katërt të vitit 2021. Ecuria vazhdon të ndikohet nga rritja e çmimeve të huaja, të cilat u rritën me 34.3%. Edhe mbiçmimi i kursit të këmbimit (7.4%) nuk është në gjendje të balancojë këtë efekt nga çmimet e huaja.
Presionet e shtuara nga çmimet e huaja kanë kontribuuar në prirjen rritëse të inflacionit të importuar, gjatë tremujorit të dytë të vitit. Inflacioni i importuar kontribuoi me 3.4 pikë përqindjeje në inflacionin total, ndërkohë që përmes kanaleve indirekte, presionet rritëse të tij kanë shtuar edhe kontributin e inflacionit të brendshëm, në të njëjtin tremujor.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.