Remitancat, rekord historik në 3-mujorin e dytë – BSH: Emigrantët dërguan pranë familjeve 268 mln euro
Hamit Yzeiraj/SCAN
Emigrantët shqiptarë dërguan rreth 268 milionë euro përgjatë 3-mujorit të dytë të vitit, çka përbën edhe shifrën më të lartë që nga viti 2008, kur nisën llogaritjet e Bankës së Shqipërisë. Të dhënat tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë remitancat u zgjeruan me 38.5 mln euro. Rritja e kostove të jetesës në vend, pagat dhe pensionet e ulëta në krahasim me rajonin duket se nxisin emigrantët për të dërguar gjithnjë e më shumë para’ për familjet e tyre në atdhe.
Deri më tani përgjatë gjysmës së vitit familjet shqiptare morën në total 509 milionë euro nga familjarët që jetojnë në kurbet. Remitancat në këtë mënyrë po ndikojnë gjithnjë e më shumë në jetën socio-ekonomike në vend.
Ato janë burimi i vetëm financiar për gati 1/3 e familjeve shqiptare, duke mbajtur gjallë konsumin përmes përfshirjes financiare të popullatës, por duke dekurajuar punësimin. Ndonëse në valutë niveli i remitancave gjatë 2022-shit është i përafërt me atë të vitit 2008, nuk mund të thuhet e njëjta nëse ato kthehen në lekë.
Nga ana tjetër një shtysë për rritjen e remitancave në vend duket se ka luajtur dhe monedha europiane, pasi zhvlerësimi saj në tregun e brendshëm valuator gjatë këtij sezoni veror nën nivelin e 100 lekëve bëjnë që familjet shqiptare të përfitojnë më pak nga paratë e dërguara nga të afërmit e tyre në emigrim.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.