Rënie e papritur e inflacionit në Francë – Një nga arsyet, ulja e çmimeve të gazit dhe energjisë në Europë
Inflacioni në Francë ka rënë në mënyrë të papritur nën nivelin e 7% në muajin dhjetor, pasi shënoi rekorde historike në nëntor. Ky është sinjali më i fundit se ngadalësimi i rritjes së cmimeve të energjisë po ndihmon Europën të tejkalojë momentin më të keq të krizës së inflacionit.
Lajmi konfirmohet nga të dhënat paraprake të BE-së të publikuara nga Instituti kombëtar i statistikave Insee. Të dhënat franceze iu shtohen shenjave të fundit të ngadalësimit të presiooneve mbi cmimet në zonën euro, si dhe dëshmojnë treguesit e inflacionit si në Gjermani njësoj dhe në Spanjë.
Niveli i inflacionit në Francë ka rënë në 6.7% në muajin dhjetor sipas të dhënave të Insee. Bëhet fjalë për një rënie në krahasim me 7.1% në muajin nëntor, si dhe nën parashikimet mesatare prej 7.2% të një sondazhi të përgatitur nga agjencia e lajmeve Reuters.
Rritja e cmimeve të energjisë ishte më e ulëta që nga shtatori 2021, me një rritje prej 15.1% në krahasim me 18.4% në muajin nëntor, falë dhe uljes së cmimeve të gazit në të gjithë Europën në javët e fundit për shkak të temperaturave të larta që kanë regjistruar rekorde për sezonin.
Ministri francez i financave Bruno Le Maire u shpreh për mediat në vend se inflacioni do të ketë një tendencë uljeje gjatë vitit 2023. Më parë ai kishte pohuar se inflacioni do të qëndronte i lartë deri në gjysmën e këtij viti, para se të ulej.
Është e mundur që cmimet e energjisë, t’i shtohen presioneve të inflacionit në muajin janar, meqënëse cmimet e rregulluara të gazit dhe energjisë elektrike janë rritur me 15% në fillim të vitit.
Sipas ekonomistëve në vend, momentet e favorshme të cmimeve të energjisë sugjerojnë se mund të ketë dritë në fund të tunelit.
Edhe pse Franca ka ruajtur një inflacion më të ulët në krahasim me pjesën më të madhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian falë rritjes së kufizuar të cmimeve të rregulluara të gazit dhe energjisë elektrike, goditja ndaj fuqisë blerëse të konsumatorëve po zbeh besimin e familjeve.
Në një tjetër raport, Insee konfirmon se indeksi i besimit të konsumatorëve ka rënë një muaj më parë në 82, shumë më poshtë mesatares prej 100.
Në një kohë që raporti mujor i Insee ka treguar se shqetësimet e familjeve për papunësinë, financat dhe inflacionin janë në rritje, dobësimi i fuqisë blerëse po shkakton dhe tensione sociale. Lëvizja anti qeveritare e jelekëve të verdhë, e cila qëndroi jo aktive pas protestave të dhunshme në fund të 2018-ës, ka paralajmëruar një manifestim në Paris për këtë të shtunë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.