Revlon del nga falimentimi në prill 2023 – Firma kozmetike arrin marrëveshjen me kreditorët kryesorë
Gjigandi i falimentuar i kozmetikës, Revlon, arriti një marrëveshje ristrukturimi, e cila do i kalonte pronësinë e kompanisë huadhënësve të saj duke hequr nga skena aksionerët aktualë.
Revlon tani ka mbështetjen e një pjese të huadhënësve të siguruar dhe kreditorëve të pasiguruar, të cilët më parë nuk ishin aspak dakord me njëri tjetrin gjatë falimentimit të kompanisë.
Marrëveshja e ristrukturimit, e cila duhet të miratohet nga një gjykatës për falimentimet në SHBA përpara se të jetë e vlefshme, do të sigurojë 44 milionë dollarë për kreditorët e pasiguruar të Revlon, të cilët në të kundërt do të ishin të fundit në rradhë për shlyerjen e borxheve.
Fraksioni i huadhënësve të siguruar, të cilët përfshijnë kapital privat dhe fonde mbrojtëse, i detyrohet afërsisht 3 miliardë dollarë. Marrëveshja e ristrukturimit kërkon që Revlon të marrë miratimin e gjykatës në 3 prill. Një gjë e tillë do i lejonte kompanisë të dilte nga falimentimi në 17 prill 2023.
Revlon u shpreh se po merr në konsideratë shitjen e mundshme të kompanisë. Marrëveshja e ristrukturimit e lejon Revlon të ndjekë këtë proces, për sa kohë që oferta është mjaftueshëm e lartë për të shlyer plotësisht huadhënësit.
Revlon shpalli falimentimin në qershor duke thënë se borxhi prej 3.5 miliardë dollarë e dobësoi shumë financiarisht, duke e penguar të likujdonte në kohë pagesat për shitësit në zinxhirin furnizues të kozmetikës.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.