Rimbursimi 100 lekë/litër për karburantin – Vendimi për transportin publik, aplikimet do të pranohen deri në datën 1 dhjetor
Operatorët e transportit kanë afat deri në datën 1 dhjetor për të aplikuar për përfitimin e rimbursimit të karburantit, pasi në të kundërt nuk do të mund ta përfitojnë vlerën që iu takon. Gjithçka përcaktohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar 1 ditë më parë, që përcakton procedurat që duhet të ndiqen nga shoqëritë e transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase për marrë kompensimin prej 100 lekë/litër, të parashikuar në Paketën e dytë të Rezistencës.
Më konkretisht, kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore nën juridiksionin e së cilës është regjistruar shoqëria, që është dhe institucioni që do të bëjë verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.
Ndërkohë që, bashkëngjitur kërkesës nevojitet kopja e licencës, të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS, si dhe kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: gusht, shtator, tetor, të vitit 2021 dhe 2022. Ato shoqëri, që ushtrojnë edhe aktivitete të tjerë, perveç atyre të transportit, duhet të paraqesin vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, si dhe kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve të sipërpërmendur.
Vendimi i qeverisë erdhi pas mos arritjes së disbursimit të plotë të fondit të vendosur në dispozicion në paketën e parë. Sipas qeverisë, vetëm 60% e fondit arriti të tëhiqej nga operatorët, për shkak të mungesës së dokumenteve të kërkuar. Kjo është masa e vetme që ka ndërmarrë qeveria për të zbutur rritjen e çmimeve të karburantit, teksa për qytetarët nuk është parashikuar asnjë rimbursim apo ulje taksash.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.