Ripremtohet netimi vjetor i energjisë – Vetëprodhimi nga panelet diellore, nuk ka rritje të sasisë së lejuar mbi 0.5 MW
Për të disatën herë është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka premtuar se do të ndryshojë ligjin për të mundësuar netimin vjetor për vetëprodhuesit e energjisë nga dielli. Aktualisht, skema e matjes parashikon bilancin mujor të energjisë, ndërkohë që prej më shumë se 2 vitesh ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar që ky bilanc të jetë vjetor, duke qenë se panelet fotovoltaike prodhojnë më shumë energji gjatë stinës së verës.
Paralelisht, është kërkuar edhe rritja e sasisë së lejuar për t’u instaluar, pasi legjislacioni aktual lejon vetëm 0.5 MW, teksa shumë prej bizneseve kanë nevojë për më tepër energji, por Balluku nënkuptoi se kjo sasi e lejuar nuk do të rritet.
Deklaratat e ministres u bënë gjatë shpalljes se rezultatev etë fazës së parë për ankandin e impianteve të erës, ku u bë me dije se janë 6 kompani që do të vazhdojnë garën për fazën e dytë.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hapjes së ankandit, çmimi tavan do të jetë 75 euro/Mw. Pjesëmarrja në këtë proces konkurrues lejohet vetëm për projekte me një kapacitet minimal prej 10 MW dhe kapacitet maksimal prej 75 MW.
Ndërkohë që, nëpërmjet këtij procesi konkurrues MIE do të përzgjedhë projekte më një kapacitet të përgjithshëm prej 100 MW të cilët do të përfitojnë masat mbështetëse për blerjen e energjisë. Megjithatë, autoriteti Kontraktues, më vonë mund të vendosë që të rrisë kapacitetin total të tenderuar deri në 150 MW.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.