Rishikimi i buxhetit 2022 – Ibrahimaj: Ndihmuam 1 milionë shqiptarë me paketën prej rreth 8 miliardë lekësh
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ të rishikimit të fundit të buxhetit të vitit 2022.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, theksoi faktin se rishikimi i buxhetit në ditët e fundit të vitit që sapo kaloi i erdhi në ndihmë rreth 1 milionë qytetarëve shqiptarë, duke ofruar një paketë ndihme prej 8 miliardë lekësh për të lehtësuar familjet shqiptare nga efektet e rritjes së çmimeve.
“Objektivi kryesor i këtij Akti është të reduktojmë në maksimumin e mundshëm efektet e inflacionit mbi konsumin bazë, duke mbështetur ata që janë më në nevojë, pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe punonjësit e administratës”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, Ministrja theksoi faktin se Akti Normativ vjen në mbështetje të të githë nismave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë gjithë vitit të kaluar dhe shkon në mbështetje të përballimit të krizës së inflacionit.
Rishikimi i fundit i buxhetit për vitin 2022, të cilin Qeveria e miratoi në datën 29 Dhjetor pati në fokus akordimin e të ashtuquajturës “Pakoja e Madhe”, e cila konsistonte në mbështetjen financiare të menjëhershme për:
- 695 mijë pensionistëme një kosto totale në buxhet prej 5.6 miliardë lekësh;
- 135 mijë individëtë grupeve në nevojë me një kosto totale në buxhet prej 1.1 miliardë lekësh;
- si dhe për rreth 107 mijë punonjëstë administratës shtetërore me një kosto totale në buxhet prej 1.1 miliardë lekësh, ku më konkretisht janë mbështetur me shpërblime në masën 10 mijë dhe 20 mijë lekë sipas nivelit të pagës së përcaktuar, kategoritë e mëposhtme:
- 15,603 Policë
- 36,738 Arsimtarë
- 7,731 Ushtarakë
- 19,678 Punonjës të Shëndetësisë
- 26,598 Punonjës të administratës
- 1,181 Zjarrfikës
Në terma konkretë, ky Akt siguroi: Akordimin e një financimi total prej rreth 7.8 miliardë lekë në zërin ‘Fondi Rezervë’, në mbështetje të politikave sociale për disa kategori më vulnerabël. Fond i akorduar për përballimin e efekteve negative si pasojë e inflacionit të luftës, të cilat janë ndjerë jo pak tek qytetarët përgjatë vitit të vështirë 2022.
Reflektimin në kahun e të ardhurave të një rritje në masën rreth 1.5mld lekë, si rezultat i performancës së kënaqshme të derdhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore si dhe ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.