“Risk i lartë nga ndryshimet klimatike” – FMN: Preken prodhimet bujqësore dhe shërbimet, të jetë prioritet për qeverinë
Ndryshimet klimatike rrezikojnë popullsinë dhe ekonominë shqiptare, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në një dokument politikash, të publikuar në fund të vitit që sapo lamë pas FMN vlerëson se fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike bëjnë që popullsia dhe industritë të humbasin aksesin në shërbime, duke përfshirë energjinë elektrike, ujin e pijshëm dhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor.
Po ashtu, rritja e temperaturave dhe ndryshimi i reshjeve pritet të ketë ndikim negativ në sektorin e bujqësisë, i cili përfaqëson rreth 20 për qind të ekonomisë. “Temperaturat ekstreme përbëjnë një kërcënim për prodhimin bujqësor dhe reshjet e shumta rrisin rrezikun e humbjes së të korrave”, – vlerësohet në dokument.
Po ashtu, theksohet se Shqipëria goditet nga afërsisht një fatkeqësi në vit, teksa çdo fatkeqësi natyrore shkakton dëme prej rreth 1.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe prek rreth 5 000 për 100 000 banorë.
Nisur nga kjo situatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgatitur një listë të gjatë masash që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, teksa pjesa më e madhe e tyre konsiderohen me prioritet shumë të lartë. Rritja e efikasitetit të përdorimit të ujit, diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë dhe nxitja e eficiencës së energjisë janë 3 prej tyre.
Ndërkohë që, sa i takon sektorit të bujqësisë, me priortiet shum ëtë lartë shihet promovimi i bujqësisë dhe peshkimit të qëndrueshëm, si dhe përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe kullimit.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.