Rrezik varfërie për 44,4% të të huajve në Itali – Kriza ekonomike dhe pabarazia sociale janë faktorët kryesore
Rreth 13 milionë italianë dhe 2.2 milionë të huaj janë në rrezik varfërie apo përjashtimi social. Thënë ndryshe jetojnë në familje ku pjesa më e madhe janë të papunë apo në gjendje të rënduar ekonomike. Kjo është një nga të dhënat që del nga raporti vjetor mbi ekonominë e emigracionit i Fondacionit Leone Moressa.
Duke u mbështetur në të dhënat e Eurostat, italianët në rrezik varfërie përbëjnë 22.6% të popullsisë mbi 18 vjec; ndërsa te të huajt niveli ngjitet deri në 44.4%. Nga ana tjetër, ndarja mes vendasve dhe të huajve, është e theksuar dhe në nivel europian: rreziku për varfëri për të huajt në Bashkimin Europian është mesatarisht në 40.4% kundrejt 19.5% të vendasve.
Rreziku i varfërisë për të huajt nuk ka të bëjë dhe aq shumë me mungesën e punës, se sa me llojin e saj, që shpesh sjellin më pak të ardhura. Emigrantët në Itali, në vitin 2019, shënonin një përqindje punësimi prej 61.1 – në moshat nga 15 deri në 64 vjec. Një nivel më i lartë në krahasim me atë të italianëve që ishte 58.8%.
Gjatë pandemisë në vitin 2020 u humbën 176 mijë vende pune të qytetarëve të huaj, të cilat u rifituan vetëm pjesërisht në vitin 2021 – 53 mijë prej tyre.
Të huajt e punësuar në Itali janë 2.25 milion, me një nuvel punësimi në vitin 2021 prej 57.8%. më i ulët se ai i italianëve që ishte 60.2%.
Nëse shihet vetëm klasa punëtore, rreziku i varfërisë në Europë, sipas Eurostat, është 7.9% për vendasit dhe 20.8% për të huajt. Në Itali, 80% e qytetarëve zotërojnë shtëpinë e tyre kryesore, mesatarja e BE-së është 74.3%, ndërsa emigrantët pronarë janë 18.4%, vlera më e ulët në Europë, mesatarja e BE-së është 28.4%.
Edhe të ardhurat e deklaruara nga italianët dhe të huajt zbulojnë pabarazi: mesatarisht 22 mijë euro në vit për frymë për italianët dhe 12.758 euro për të huajt, të cilët paguajnë mesatarisht 2.585 euro në vit tatim mbi të ardhurat personale.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.