Rriten çmimet në fabrikat e Eurozonës – Ndikon shtrenjtimi i energjisë. Papunësia bie në 6.8%, gjatë marsit
Çmimet e prodhimit në Eurozonë janë rritur më shumë se parashikimet e analistëve, gjatë muajit mars, pasi Çmimet e energjisë thuajse janë dyfishuar me bazë vjetore.
Në anën tjetër, papunësia vijon tendencën në rënie. Zyra e Statistikave e Bashkimin Europian, Eurostat, deklaroi se çmimet në fabrika në 19 vendet anëtare të Eurozonës u rrit me 5.3% me bazë mujore, ndërsa me bazë vjetore rritja është me 36.8%. ekonomistët e anketuar nga Reuters parashikonin një rritje me 5% krahasuar me shkurtin dhe me 36.3% krahasuar me marsin e vitit 2021.
Çmimet e energjisë kanë dhënë kontriburin kryesor në këtë rritje, gjatë marsit, pasi kanë rezultuar 11.1% më të larta krahasuar me shkurtin dhe me 104.1% krahasuar me marsin e vitit të kaluar, pasi pushtimi i Ukrainës nga Rusia mbështeti çmimet, që ishin ndikuar tashmë nga rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë. Duke përjashtuar energjinë, çmimet e prodhimit u rritën me vetëm 2.1% me bazë mujore dhe me 13.6% me bazë vjetore.
Referuar të dhënave të tjera, papunësia në Eurozonë ra në 6.8% gjatë marsit, nga 6.9% që ishte në shkurt. Numri total i personave të papunë ra në 11 milionë e 274 mijë. Shtrëngimi i tregut të punës ka të ngjarë të shtojë presionin për rritjen e pagave, pasi inflacioni duket se nuk po ndalet dhe për muajin prill rezultoi në 7.5%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.