Rriten parashikimet për ekonominë greke – Projektohet 2,3% në 2023, por inflacioni mbetet problemi më i madh
Ministria e Financave në Greqi ka rishikuar ritmin e rritjes së ekonomisë për këtë vit në 2.3%, nga 1.8% që projektohej në buxhetin 2023. Sipas zyrtarëve, depërshkallëzimi i shpejtë i çmimit të gazit natyror kufizon ndjeshëm subvencionet për energjinë, duke rritur kështu dinamikën e ekonomisë, e cila në terma absolutë vlerësohet të jetë më e lartë për 2-3 miliardë euro këtë vit.
Sipas Ministrisë, nëse nuk do të kishte ekzistuar kriza bankare, vlerësimi për rritjen e PBB-së do të ishte më i lartë se 2.3%. Trazirat në industrinë bankare po i shtyjnë institucionet financiare të kufizojnë marrjen e rrezikut, të paktën deri në kthimin e stabilitetit, në mënyrë që të mbrojnë bilancet e tyre. Për rrjedhojë, kushtet e kreditimit për ekonominë reale do të jenë të vështira, qoftë edhe përkohësisht, jo vetëm në Greqi, por edhe në të dy anët e Atlantikut.
Parashikimi për të arritur një suficit primar prej 0.7% të PBB-së ka një “bazë të mirë” pas atij të vitit 2022. Megjithatë, ekspertët e Ministrisë së Financave mendojnë se gjërat e vështira mund të vijnë nga viti 2024, me ndryshimet në Paktin e Stabilitetit, që minimizon hapësirën për politikë fiskale fleksibël. Çështja kryesore do të jetë rikthimi i buxhetit në një suficit primar të përhershëm.
Ndërkohë, problem më I madh në ekonomi mbetet inflacioni, veçanërisht në artikujt ushqimorë. Sipas deklaratave të fundit të ministrit të Financave, Christos Staikuras, inflacioni duket i vazhdueshëm dhe e cilësoi si “problemin e madh për vitin 2023”. Ai shtoi se do të jetë pak më i ulët nga parashikimet, në rreth 4.5%, por theksoi se “nuk do të ketë ulje çmimesh, as stabilizim. Çmimet do të rriten me ritëm të reduktuar”. Sipas ministrit grek të Financave, inflacioni po largohet nga energjia dhe po fokusohet tek ushqimi.
Dorina Kurtaj/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.