Rritet Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme/ Bankat në Shqipëri paguan 734 milionë lekë si kontribut vjetor. Objektivi 2027: Niveli 7.12 miliardë lekë
Në prill 2022, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 734.6 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për pesë vjet që nga krijimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në nivelin 3.459 miliardë lekë.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.
Bazuar në ligj, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit.
“Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 7.12 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2022, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 734.6 milionë lekë. Kontributi vjetor i llogaritur sipas rregullores u pagua i plotë në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sistemit bankar, brenda datës 30 prill 2022. Pas mbledhjes së kontributit për vitin e pestë, në fund të muajit prill 2022, mjetet financiare të fondit arritën nivelin e 3.459 miliardë lekëve, si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në pesë vite (2018-2022)” informon Banka e Shqipërisë.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.
Shifrat e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
-Bankat paguan 734.6 milionë lekë në prill 2022
– Në 5 vite, Fondi arrin në nivelin 3.459 miliardë lekë
-Objektivi 2027, Fondi të shkojë 7.12 miliardë lekë
Për çfarë përdoret Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
-Garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve
-Plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve
-Blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve
-Kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme
-Mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.