Rritja e çmimit të energjisë në Britani – Rreth 50% e qytetarëve do të racionojnë përdorimin gjatë dimrit
Kristi Ceta/SCAN
Pothuajse gjysma e qytetarëve britanikë do të racionojnë përdorimin e tyre të energjisë këtë dimër, sipas një sondazhi, pasi faturat e energjisë do të rriten përsëri me 10% këtë javë.
Organizatat bamirëse i kanë bërë thirrje qeverisë të bëjë më shumë për të ndihmuar njerëzit e cenueshëm për të ngrohur shtëpitë e tyre, me faturën mesatare të familjes që planifikohet të rritet me 149 paund pas rritjes së çmimit të energjisë.
Sipas sondazhit të YouGov, 46% e të rriturve pritet të përdorin më pak energji sesa u nevojitet për të ruajtur rehatinë dhe mirëqenien.
Dyzet e pesë për qind e atyre me të ardhura të ulëta thanë se e kishin pasur të vështirë të paguanin energjinë e tyre vitin e kaluar. Rreth gjashtë milionë familje në Mbretërinë e Bashkuar do të mbeten në varfëri, duke u dashur të shpenzojnë më shumë se 10% të të ardhurave të tyre për faturat e ngrohjes, kur të hyjë në fuqi kufiri i fundit i çmimit.
Sipas kufirit të ri, fatura mesatare vjetore e energjisë do të rritet në 1,717 paund në vit për gazin dhe energjinë elektrike, nga 1,568 paund, që ishte vendosur në korrik.
Borxhi i përgjithshëm i energjisë i familjes në Mbretërinë e Bashkuar është 3.7 miliardë paund, sipas Ofgem. Ekspertët shprehen se ka ende kohë që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të punojë me furnizuesit e energjisë për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të reduktojë faturat.
Sondazhi zbuloi se 4% e të rriturve thanë se kishin reduktuar madje edhe përdorimin e pajisjeve mjekësore thelbësore si ato të oksigjenimit në tre muajt e fundit për të kursyer para.
Vendimi për të hequr pagesën e karburantit dimëror për pjesën e pensionistëve, i cili u prezantua nga qeveria e fundit laburiste në 1997, ka të ngjarë të përkeqësojë situatën, me rreth 10 milionë pensionistë që rrezikojnë të humbasin ndihmesën automatike.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.