Rritja e kërkesës për bakër – Parashikohet përdorimi i 1 milion tonëve shtesë në vit deri në 2035
Kristi Ceta/SCAN
Kompania australiane e minierave BHP (Broken Hill Propriety) pret që bota të konsumojë mesatarisht 1 milion tonë bakër shtesë në vit deri në vitin 2035 për shkak të adoptimit të teknologjive të reja, dyfishi i rritjes vjetore të vëllimit në 15 vitet e fundit.
Bakri është përdorur prej kohësh në sektorët e ndërtimit, transportit dhe energjisë elektrike për shkak të qëndrueshmërisë, lakueshmërisë dhe përçueshmërisë së tij. Vitet e fundit, ai përdoret gjithashtu në prodhimin e automjeteve elektrike, impiantet e energjisë së gjelbër dhe qendrat e të dhënave.
BHP tha në një raport se kërkesa globale për bakër është rritur me një normë të përbërë prej 3.1% rritje vjetore gjatë 75 viteve të fundit. Por kjo normë rritjeje është ngadalësuar në vetëm 1.9% gjatë 15 viteve deri në vitin 2021.
Kërkesa totale e bakrit në vitin 2023 ishte 31 milionë tonë, sipas BHP. Gjiganti i minierave pret që sektori i tranzicionit të energjisë të zërë 23% të kërkesës për bakër deri në vitin 2050, nga 7% që është aktualisht, thuhet në raport. Sektori digjital, i cili përfshin qendrat e të dhënave, 5G, dhe inteligjencën artificiale do të përbëjë 6% të kërkesës për bakër deri në vitin 2050, nga 1% që është tani.
Kërkesa e Kinës do të vazhdojë të rritet, megjithëse me një ritëm më të ulët, sepse përdorimi i bakrit për frymë është sa gjysma e përdorimit në vendet e zhvilluara. India gjithashtu do të shohë rritje, sipas raportit.
BHP shtoi se “shkalla mesatare e minierave të bakrit ka rënë me rreth 40% që nga viti 1991… Pritet që 1/3 deri në 50% e furnizimit global të bakrit të përballet me sfidat e plakjes gjatë dekadës së ardhshme”.
Fatura totale për të gjithë kapitalin e zgjerimit nga 2025-2034 parashikohet të arrijë rreth 250 miliardë dollarë, një rritje e konsiderueshme nga 10 vitet e mëparshme, kur shpenzimi total për projektet e bakrit ishte afërsisht 150 miliardë dollarë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.