Rritje e lehtë e huave me probleme në korrik – Banka e Shqipërisë: Arritën në 4.72%, por nuk cënohet cilësia e portofolit
Armela Duka/SCAN
Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se një nga indikatorët më të rëndësishëm të shëndetit financiar bankar pati një zgjerim të papërfillshëm gjatë muajit të shtatë të këtij viti. Konkretisht, treguesi i huave me probleme arriti në 4.72% në korrik, nga 4.7% që ishte në muajin e mëparshëm.
Analiza e “Scan Intel” për trendin e huave me probleme që nga fillimi i vitit 2024 tregon se ka patur luhatje të vazhdueshme të këtij treguesi duke shënuar rënie në muajt mars dhe qershor të vitit aktual për të vijuar më pas një trend gradual rritës. Në të kundërt, gjatë korrikut paraqiten me rënie edhe dy treguesit e tjerë siç janë huatë me probleme ndaj kapitalit rregullator dhe huatë më probleme ndaj kapitalit aksionar. Vlera e tyre arriti në 5.73% dhe 5.36% përkatësisht.
Po krahasuar me një vit më parë si paraqitet cilësia e portofolit të kredisë së një banke? Nëse analizojmë historikun njëvjeçar të shifrave për huatë me probleme vëmë re se se kulmi i kredive me probleme është regjistruar në muajin gusht 2023, me një nivel prej 5.30% ndërkohë që në muajt pasues ka patur një rënie të vazhdueshme të individëve apo bizneseve që nuk shlyenin në kohë huatë. Ndërsa viti 2024, nisi me një nivel 4.88% të huave me probleme derisa në korrik shënoi një rritje me 0.2 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë.
Historiku i të dhënave tregon gjithashtu se ky tregues vijon të mbetet pranë niveleve rekord minimale duke mos arritur as nivelin e regiistruar në dhjetor të vitit 2022, pranë 5%, që ishte edhe niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.