Rrjetet energjetike të Europës po përballen me testin e parë dimëror, ndërsa ‘shpërthimi’ i Arktikut po përhapet!
Temperaturat në Europën Veriore pritet të bien ndjeshëm gjatë ditëve në vijim pasi ajri i ftohtë po fryn nga Arktiku, duke paraqitur testin e parë të madh dimëror të rrjeteve energjetike të rajonit.
Zyra e Meteorologjisë në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi të mërkurën një numër paralajmërimesh të rënda kombëtare për motin për borë dhe akull, me temperatura që do të bien deri në -10 gradë Celsius në disa pika të izoluara deri në fund të javës.
Temperaturat në të gjithë vendet nordike dhe Europën Qendrore dhe Lindore do të bien në afërsi ose nën zero gjatë ditëve në vijim. Ftohja e parashikuar mendohet të përfaqësojë një test stresi të rëndësishëm për sistemet e brishta të tregut të energjisë në Europë.
Për disa muaj, qeveritë europiane janë garuar për të mbushur objektet e magazinimit nëntokësor me furnizime me gaz natyror, në mënyrë që të sigurojnë karburant të mjaftueshëm për të mbajtur shtëpitë të ngrohta gjatë dimrit.
Të dhënat më të fundit nga grupi i industrisë Gas Infrastructure Europe tregojnë se depozitimi i gazit në BE vlerësohet të jetë afërsisht 90% i mbushur. Kjo vjen pasi Rusia ka shkurtuar ndjeshëm furnizimet me gaz në Europë gjatë gjithë vitit 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Kremlini në fund të shkurtit dhe sanksioneve që rezultuan.
Analistët e energjisë thanë se ndërsa nivelet e depozitimit të gazit në Europë ishin në një pozicion relativisht të fortë për dimër, Gjermania jugore mund të jetë “veçanërisht e prekshme” ndaj temperaturave të ngrirjes pjesërisht për shkak të ndërprerjeve bërthamore në Francë. Britania e Madhe gjithashtu mund të përballet me probleme në fillim të vitit të ardhshëm nëse eksportet e energjisë nga BE-ja bien.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.