Rrjeti 5G në Serbi, gati në vitin 2026 – Synohet mbulimi i 40% të territorit një vit më vonë
Kristi Ceta / SCAN
Qeveria serbe ka miratuar Strategjinë për Zhvillimin e Sistemit të Komunikimeve Elektronike deri në vitin 2027. Serbia parashikon se zgjerimi i rrjetit 5G do të fillojë nga viti 2026, që në vitin 2027 mbulimi i territorit të jetë 40 për qind.
Shefi ekzekutiv i Telekom Srbija së fundmi ka konfirmuar se prezantimi i këtij rrjeti do të mbërrijë shumë shpejt, në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2025, sapo të shpallet tenderi për gamën shtesë të frekuencave.
Implementimi i rrjetit 5G në territorin e Serbisë ende nuk ka filluar për mosplotësimin e kushteve. Strategjia për zhvillimin e sistemit të komunikimeve elektronike parashikon që në vitin 2026 10 për qind e territorit të Serbisë të mbulohet nga rrjeti 5G, ndërsa në vitin 2027 gati 40 për qind.
Pranimi i rrjeteve 5G do të mundësojë lidhje më të shpejta në internet, besueshmëri më të madhe, reduktim të vonesave në rrjet, si dhe mbështetje për aplikacione të ndryshme inovative. Kjo hap rrugën për përmirësimin e komunikimeve në të gjithë sektorët e shoqërisë dhe rritje më të shpejtë ekonomike, thonë ekspertët.
Parakushtet për të filluar futjen e këtij rrjeti në Serbi përfshijnë përgatitjen e kornizave rregullatore dhe standardeve të sigurisë, të cilat janë kyçe për zbatimin e rrjeteve të avancuara 5G, si dhe vazhdimin e ndërtimit të rrugëve lidhëse optike në zonat urbane dhe rurale.
Një nga parakushtet është rregullorja e kushteve minimale për dhënien e licencave individuale për përdorimin e spektrit të radiofrekuencave. Kjo pritet të miratohet në tremujorin e tretë të këtij viti. Ndër masat që duhet të merren është edhe reduktimi i rreziqeve të sigurisë që lidhen me futjen e rrjeteve celulare 5G.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.