Rusët ‘largohen nga Kharkiv’ ndërsa Uashingtoni paralajmëron për një luftë të gjatë!
Trupat ruse po largohen nga qyteti i dytë i Ukrainës, Kharkiv, tha presidenti Volodymyr Zelensky, por u shpreh me një notë të kujdesshme pasi Uashingtoni tha se Vladimir Putin nuk do të ndalet me lindjen dhe është gati për një luftë të gjatë.
Pas këtij parashikimi të zymtë dhe pasi presidenti Joe Biden paralajmëroi se Ukrainës ka të ngjarë të mbarojnë fondet për të vazhduar luftën brenda disa ditësh, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA votoi të martën për të dërguar një paketë ndihme prej 40 miliardë dollarësh për vendin.
Senati i SHBA-së pritet të vulosë vendimin deri në fund të kësaj jave ose në vijim, një shfaqje e mbështetjes së rrallë dypartiake që do të sillte ndihmën totale të SHBA për Ukrainën në rreth 54 miliardë dollarë.
Në fjalimin e tij të natës të martën, Zelensky tha se kishte “lajme të mira” nga rajoni verilindor i Kharkiv. “Okupatorët po largohen gradualisht,” tha ai. “Unë u jam mirënjohës të gjithë mbrojtësve tanë që po mbajnë vijën dhe po demonstrojnë forcë vërtet mbinjerëzore për të dëbuar ushtrinë e pushtuesve.”
Kreu i administratës shtetërore rajonale të Kharkiv, Oleg Synegubov tha në Telegram se “betejat e ashpra” po vazhdojnë në rajon dhe se vetë qyteti ishte nën zjarr të fortë. AFP
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.