Sa para’ investuan shoqëritë e sigurimit në depozita? – AMF: Zhvlerësimi i euros “frenoi” kompanitë nga investimet në valutë
Ledina Elezi/SCAN
Rreth 17.1 miliardë lekë rezulton vlera totale e depozitave të shoqërive të sigurimit në fund të gjashtëmujorit të parë, të investuara në monedhën vendase dhe në valutë të huaj. Gati 60% e totalit të depozitave janë në lekë, konkretisht 10.3 miliardë, ndërsa rreth 6.8 miliardë ose 40% e vlerës totale të depozitave janë në valutë.
Vetëm nga ky gjashtëmujor i parë vërehet një tejkalim i vlerës prej 16 miliardë lekësh të fundvitit të kaluar, fakt që tregon se shumat e investuara në depozita nga kompanitë e sigurimit do të regjistrojnë një rekord të ri deri në dhjetor të këtij viti.
Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e mbajnë depozitat e investuara në euro, të cilat zënë thuajse 88% të depozitave totale në valutë dhe gati 35% të depozitave totale në lekë dhe valutë, ndërsa pjesa tjetër e depozitave janë të investuara në dollar amerikan. Kundrejt fundit të vitit 2023, depozitat në valutë kanë pësuar rënie nga 38% për dhjetor 2023 në 35% për qershor 2024 ndaj totalit të depozitave të shoqërive të sigurimit. Kjo rënie vjen si pasojë e zhvlerësimit të monedhës euro, e cila arriti në nivelin më të ulët historik.
Po sa miliardë lekë kanë investuar shoqëritë e sigurimit nga sigurimet e jetës dhe jo jetës?
Përsa i përket tregut të sigurimit Jo-Jetë, në gjysmën e parë të vitit janë investuar 8.5 miliardë në depozita në lekë, ose rreth 59% ndaj totalit të depozitave, ndërsa rreth 5.9 miliardë janë investuar në depozita në valutë, ose rreth 41%. Krahasuar me fundin e vitit 2023, depozitat në valutë kanë shënuar rënie në vlerën 0.7 milionë lekë. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kjo rënie ka ardhur si efekt i zhvlerësimit të monedhës evropiane kundrejt lekut, por edhe si pasojë e shtimit të depozitave në lekë dhe dollar amerikan.
Nga tregu i sigurimit të Jetës, rreth 1.73 miliardë janë investuar në depozita në lekë, ose 66% kundrejt totalit të depozitave.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.