Sa para mblodhën bankat nga interesat dhe komisionet? – Fitimi i sektorit bankar arriti në 18.6 mld lekë në fund të gjashtëmujorit
Ledina Elezi/SCAN
Fitimi neto i sektorit bankar në fund të muajit qershor arriti në 18.6 miliardë lekë, vlerë kjo rreth 26% më e lartë në krahasim me një vit më parë. Në këtë total, ndikimin kryesor e dhanë të ardhurat neto nga interesat, por rritje kanë shënuar edhe të ardhurat jo nga interesat, që kanë treguar një performancë më të mirë të investimeve në instrumentet financiare dhe të ardhura më të larta nga komisionet.
Të ardhurat neto nga interesat u rritën me 4.2 miliardë lekë kundrejt një viti më parë, duke u ngjitur në nivelin 37.4 miliardë lekë. Gjysma e parë e vitit ka shënuar një rritje shumë më të shpejtë të të ardhurave bruto nga interesat me rreth 7 miliardë lekë, duke arritur në nivelin 46.5 miliardë lekë, kundrejt shpenzimeve për interesa që u shtuan me rreth 3 miliardë lekë. Rreth 85% e kontributit në rritjen e rezultatit neto nga interesat lidhet me aktivitetin në monedhën vendase.
Shtimi i të ardhurave nga interesi u pasqyrua edhe në rritjen e marzhit neto nga interesat në 4.4% nga 4.2% një vit më parë. Të ardhurat jo nga interesat të arkëtuara nga bankat gjatë periudhës u rritën me 3.1 miliardë lekë, në nivelin 10.7 miliardë lekë. Në këtë rritje kontribuan fitimi nga instrumentet financiare, me rreth 2 miliardë lekë dhe të ardhurat nga komisionet me 1 miliardë lekë.
Niveli i mbulimit të kostove të veprimtarisë nga të ardhurat e bankave është përmirësuar, pasi rritja në shpenzimet e veprimtarisë ishte shumë më e vogël në krahasim me rritjen e të ardhurave. Në krahasim me vitin e kaluar, shpenzimet e veprimtarisë u rritën me 2.4 miliardë lekë, në rreth 23.8 miliardë lekë.
Raporti i shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave u ul ndjeshëm gjatë periudhës, në 49% nga 53%. Paralelisht me rritjen e të ardhurave, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve paraqet rritje të shpenzimeve të veprimtarisë dhe rritje të lehtë të shpenzimeve për provigjione.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.