Scholz paralajmëron shkurtime 20 miliardë euro – Kancelari gjerman synon “mbushjen” e buxhetit 2024
Reagime të ashpra brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë, ndërsa kancelari Olaf Scholz dhe ministri i Financave Christian Lindner përgatisin 20 miliardë euro shkurtime të shpenzimeve që synojnë mbylljen e një “vrime” në buxhetin e vitit 2024. Nga ana e tyre, të Gjelbrit nuk janë dakord duke kërkuar në vend të kësaj, rritjen e taksave.
Shkurtimet e shpenzimeve të planifikuara nga Scholz dhe Lindner kanë të bëjnë me të gjitha ministritë, përveç mbrojtjes, siç raportohet nga Bloomberg. Kjo lëvizje kërcënon të zemërojë partinë e Gjelbër e cila i përket koalicionit qeverisës të Gjermanisë. Soltz dhe Lindner ranë dakord të shkurtojnë shpenzimet me 2% deri në në 3% në të gjitha ministritë.
Këto shkurtime mbulojnë pothuajse 50% të kursimeve të kërkuara, por kancelari socialdemokrat dhe ministri liberal i financave, i partisë FDP, do të duhet të vendosin se si të gjejnë pjesën tjetër të parave.
Kreu i FDP-së po bën thirrje për shkurtime në fusha të ndjeshme si shpenzimet sociale, por socialdemokratët e Scholz duan të shmangin një lëvizje të tillë, veçanërisht reduktimin e përfitimeve për fëmijët në prag të varfërisë.
Në të njëjtën kohë, të Gjelbrit po bëjnë thirrje për rritje të taksave për të mbyllur vrimën e buxhetit. Ministri i Ekonomisë Robert Habeck, një nga dy figurat e tyre kryesore në qeverinë Scholz, ka thënë se ai favorizon rritjen e taksave – veçanërisht për të ardhurat e larta – për të mbyllur deficitin.
Tre partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës të Scholz kanë kohë deri në javën e parë të korrikut për të shpallur propozimet e tyre, duke i dhënë Bundestagut kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar ato përpara se të miratojë projektligjin përfundimtar në shtator.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.