Senati francez miraton reformën e pensioneve – Mosha e daljes në pension rritet nga 62 në 64 vjeç
Senati francez miratoi rritjen e moshës së daljes në pension me dy vjet, pra deri në 64 vjec, në kuadër të planit të qeverisë për reformimin e sistemit të pensioneve, pavarësisht protestave të ashpra të organizuara ditët e fundit nga sindikatat e punëtorëve.
Organi legjislativ i dominuar nga konservatorët votoi pro aktit vendimtar për rritjen e moshës së daljes në pension me 201 vota, ndërsa kundër ishin 115. Ndërkohë që vazhdojnë ende debatet për një amendament kontrovers të këtij projektligji. Mazhoranca në senat po nxiton që të respektojë afatin e caktuar së mesnatës së të dielës për të bërë përfundimisht ligj këtë vendim. Por politikanët liberalë vazhodjnë të kundërshtojnë me forcë.
Sindikatat e punëtorëve kanë paralajmëruar se do të shtojnë presionin ndaj qeverisë me protesta dhe greva të reja. Të mërkurën, furnizuesit me karburant, trenat dhe fluturimet ndërprenë cdo aktivitet për të dytën ditë pas mitingjeve masive. Portet kryesore detare u bllokuan gjithashtu, pasi punëtorët e porteve ishin në mesin e atyre që iu bashkuan grevave të vazhdueshme që kërkonin të bindin presidentin Emmanuel Macron të ndryshojë drejtimin e projektligjit që ai ka mbrojtur.
Macron e ka vendosur reformën në qendër të axhendës së tij politike, me qeverinë e tij që argumenton se rritja e moshës së pensionit dhe forcimi i kërkesave për një pension të plotë janë thelbësore për të ruajtur sistemin nga zhytja në deficit. Franca mbetet pas shumicës së fqinjëve të saj europianë, të cilët e kanë rritur moshën e pensionit në 65 vjeç e lart.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.