Serbia nënshkruan një marrëveshje prej 2.7 miliardë euro me Francën për 12 avionë luftarakë!
Edel Strazimiri / SCAN
Presidenti francez Emmanuel Macron nënshkroi të enjten një marrëveshje me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç për të shitur 12 avionë luftarakë Rafale në vendin e Ballkanit Perëndimor. Njoftimi për avionët luftarakë me shumë qëllime u bë gjatë një konference të përbashkët shtypi në Beograd, të cilën Macron po e viziton për të forcuar lidhjet e Serbisë me Bashkimin Europian.
Macron e quajti marrëveshjen “historike dhe të rëndësishme” dhe vlerësoi Serbinë për “demonstrimin e frymës evropiane”.
“Zgjedhja e Serbisë për avionët luftarakë Rafale ishte një zgjedhje e qartë që përfaqëson një aleancë afatgjatë midis dy vendeve tona, brenda një Europe më të fortë dhe më sovrane. Kjo zgjedhje është pjesë e autonomisë sonë strategjike dhe e bën atë më të fortë”, tha ai.
Serbia duhet të përmirësojë flotën e saj dhe Vuçiç tha se marrëveshja e Rafale ishte “lajm i madh”.
“Kontrata u nënshkrua për të përfshirë paketën e plotë logjistike duke përfshirë motorët rezervë dhe gjëra të tjera. Kontrata është në vlerë prej 2.7 miliardë euro. Dymbëdhjetë avionë krejtësisht të rinj do të jenë në pronësi të Republikës së Serbisë,” tha ai.
Rusia ka qenë furnizuesi tradicional i avionëve ushtarakë, përfshirë helikopterët luftarakë, për Serbinë, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.
Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Europian, por ka bërë pak përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave demokratike, të cilat janë parakushtet kryesore për anëtarësimin në bllokun 27-vendesh.
Në një letër drejtuar publikut serb të botuar në mediat lokale të enjten, Macron u përpoq të inkurajonte kombin ballkanik që të ndiqte të ardhmen e tij në BE, por vuri në dukje se “perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk duket të jetë aq tërheqëse sa duhet”.
Ai përmendi “shqetësimet dhe lodhjen mbi ritmin e bisedimeve të pranimit, por edhe ndonjëherë një lloj pakënaqësie, madje edhe mosbesimi” ndaj BE-së.
“Unë vij sërish këtu në Serbi sot me një mesazh të thjeshtë: Bashkimi Europian dhe kombet e tij duhet të kenë një Serbi të fortë dhe demokratike në radhët e tyre dhe Serbia ka nevojë për një Bashkimi Europian të fortë dhe sovran për të mbrojtur dhe promovuar interesat e saj në respekt të identitetit të saj. ”, tha Macron në letrën e botuar në gazetat Danas dhe Politika.
Macron paralajmëroi gjithashtu se pasi Rusia sulmoi Ukrainën, “loja balancuese” e Serbisë midis fuqive botërore është një “iluzion”. Ai tha se Serbia do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e saj dhe të ruajë identitetin e saj si pjesë e BE-së.
Blerjet më të fundit të ushtrisë serbe, të cilat përfshijnë gjithashtu raketa anti-ajrore të prodhuara nga Kina, kanë shqetësuar disa nga fqinjët e saj pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s, duke përfshirë një tjetër operator Rafale, Kroacinë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.