“SHBA mund të mos paguajë dot faturat nga 1 qershori” – Sekretarja e thesarit Yellen, paralajmëron kongresin
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen i rikonfirmoi Kongresit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mos paguajnë borxhin e tyre që nga 1 qershori. Ajo theksoi se Thesari ka të ngjarë të mos jetë më në gjendje të përmbushë të gjitha detyrimet e qeverisë nëse Kongresi nuk vepron menjëherë për të rritur ose pezulluar kufirin e borxhit deri në fillim të qershorit, dhe potencialisht që në 1 qershor.
Paralajmërimi vjen në një moment që Shtëpia e Bardhë dhe liderët e Kongresit përgatiten të takohen për të vazhduar negociatat mbi reduktimet e mundshme të shpenzimeve në këmbim të miratimit të Dhomës së Përfaqësuesve të një rritjeje të tavanit të borxhit. Senati me shumicë demokrate pritet të mbështesë çdo gjë që Shtëpia e Bardhë negocion me kongresin nën kontrollin e republikanëve.
Presidenti amerikan Joe Biden dukej optimist fundjavën e kaluar për arritjen e një marrëveshjeje me republikanët për të rritur ose pezulluar kufirin e borxhit në kohë për të shmangur pasojat ekonomike edhe një dështim të mundshëm të borxhit të SHBA. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se mendonte se nga ana e republikanëve ekzistonte dëshira për arritjen e një marrëveshjeje. Por republikanët theksuan për mediat në vend se palët janë ende shumë larg njëra tjetrës.
Yellen nga ana e saj theksoi se situata është emergjente dhe se pritja deri në minutën e fundit për të pezulluar ose rritur kufirin e borxhit mund të shkaktojë dëm serioz në besimin e biznesit dhe konsumatorit, të rrisë kostot afatshkurtra të huamarrjes për taksapaguesit si dhe të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dorina Kurtaj/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.