Shoferët e “vjetër”, më të papërgjegjshëm se të rinjtë – Ata me mbi 9 vjet patentë shkaktojnë 2 herë më shumë aksidente se ata me 0-3 vjet eksperiencë
Përgjatë vitit 2021 janë regjistruar 1,376 aksidente rrugore nga të cilat kanë rezultuar 1,860 persona të përfshirë në aksidente. Në 84,7% të rasteve, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Por cilët shoferë janë më të përgjegjshmit në timon? Sipas shifrave nga “Instituti i Statistikave” shoferët të cilët kanë më shumë eksperiencë në timon bëjnë më shumë aksidente rrugore se ato të cilët kanë eksperiencë më të shkurtër në drejtimin e mjetit.
Gjatë vitit 2021 drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite eksperiencë kanë kryer 525 aksidente dhe krahasuar me vitin 2020 ky tregues është rritur me 22.7%. Ndërkohë, nëse këtë shifër e llogarisim në peshë kundrejt totalit të aksidenteve të ndodhura përgjatë vitit 2021, shifrat e përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se 38.2% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e drejtuesit të mjetit me eksperiencë mbi 9 vite.
Aksidentet nga drejtuesit me eksperiencë 0 deri në 3 vite zënë 19.5% të peshës së aksidenteve në total për vitin 2021 dhe në shifra absolute janë regjistruar 269 aksidente. Krahasuar me vitin 2020, aksidentet nga drejtuesit me eksperiencë 0 deri në 3 vite kanë pësuar rritje me 33.8%. Rënie kanë pësuar aksidentet nga shoferët me eksperiencë nga 3 deri në 6 vjet me 28.7%, nga 289 aksidente gjatë vitit 2020, në 206 aksidente në vitin 2021. Gjatë vitit 2021 janë kryer 87 aksidente nga drejtues mjeti pa leje drejtimi. Shqetësues është fakti se, krahasuar me vitin 2020, ky tregues është rritur me 38.1%. Ndërkohë, në 86 aksidente të ndodhura në vitin 2021 shkaktarët janë larguar nga vendi ngjarjes.
Sa i përket aksidenteve gjatë ditëve të javës, sipas të dhënave, e premtja dhe e shtuna kanë regjistruar më shumë aksidente gjatë vitit 2021 me 210 dhe 206 të tilla. Nëse flasim për ndyshimin vjetor nga viti 2020 në vitin 2021, e shtuna ka rritjen më të madhe të aksidenteve. Pra, aksidentet që ndodhin ditën e shtunë janë rritur me rreth 30% në harkun kohor të një viti, ndërkohë me rënie paraqiten aksidentet të ndodhura ditën e mërkurë me 5.3%. Por në cilën ditë ndodhin më pak aksidente? Të dhënat thonë se dita e martë ka regjistruar më pak aksidente gjatë vitit 2021, me 175.
“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe aksidentet rrugore sipas orës së ndodhjes së tyre. Gjatë vitit 2021 numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur gjatë darkës, deri në masnatë, me 301 aksidente, ndjekur nga orari i paradites mes orës 08:00 dhe 12:00. Regjistrohen 288 aksidente gjatë kësaj fashe orare, ndjekur nga ora 14:00 me 17:00, gjatë së cilës regjistrohen 257 aksidente. Aksidentet nga ora 19:00 deri në orën 24:00 kanë shënuar rritjen më të madhe, krahasuar me vitin 2020, me 29.2%.
Xhorxhina Deda/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.