Shqipëria forcon sigurinë kibernetike – Ndër vendet që po përparon me shpejtësi në këtë fushë. Kuadri ligjor, më i përmirësuari
Ledina Elezi/SCAN
Shqipëria është ngjitur me 22 pikë në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike, duke u klasifikuar ndër vendet që po përparojnë me shpejtësi në fushën e sigurisë kibernetike. Vendi ynë ka lëvizur nga kategoria Tier 3 në atë të Tier 2, që tregon se janë shtuar përpjekjet për forcimin e mbrojtjes digjitale dhe adresimit në mënyrë efektive të kërcënimeve në rritje të sigurisë kibernetike.
Shqipëria ka marrë pikë maksimale prej 20/20 në masat ligjore, duke treguar një kuadër të fuqishëm ligjor që mbështet sigurinë digjitale. Gjithashtu, janë bërë përmirësime të rëndësishme në masat teknike (18.38) dhe masat organizative (19.47), duke forcuar infrastrukturën digjitale dhe koordinimin institucional për menaxhimin e sigurisë kibernetike.
Megjithatë, Indeksi Global i Sigurisë Kibernetike sugjeron që vendi ynë të punojë më tepër për zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e bashkëpunimit. Konkretisht, Shqipëria duhet të realizojë më tepër fushata ndërgjegjësimi, trajnime apo t’i përfshijë më shumë çështjet e sigurisë kibernetike në kurrikulat shkollore. Gjithashtu, ne duhet të rrisim bashkëpunimin ndërmjet agjencive dhe të nënshkruajmë më tepër marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike.
Ky indeks i rendit Serbinë dhe Shqipërinë si ndër vendet më të përparuara në rajon për sa i përket sigurisë kibernetike, duke lënë pas shtete si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, i cili është shteti që pozicionohet me më pak pikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Indeksi Global i Sigurisë Kibernetike mat angazhimin e vendeve ndaj sigurisë kibernetike në kontekstin e masave në pesë shtylla, atë ligjore, teknike, organizative, zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin. Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit synon të ndihmojë vendet të identifikojnë fushat e përmirësimit dhe t’i nxisë ata të veprojnë në ndërtimin e kapaciteteve nën çdo shtyllë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.