Shqipëria zyrtarisht me dy operatorë celularë, por ka pikëpyetje – AKEP: Nuk cënohet konkurrenca, as hyrja e një kompanie të tretë, por s’jemi të sigurt
Shqipëria tashmë numëron zyrtarisht vetëm dy operatorë në tregun e telefonisë celulare, gjë që sipas autoriteteve nuk do të cënojë konkurrencën e lire, e as do pengoje hyrjen e një të treti, konkuzion për të cilin as AKEP gjithësesi nuk është i sigurt. Në mbledhjen e datës 7 nëntor, Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar transferimin e të drejtave të përdorimit të frekuencave nga “Albtelekom sh.a.” te “One Telecommunications Albania”.
Njoftimi mbi përftimin e kontrollit të shoqërisë “Albtelecom” sh.a., nga shoqëria “4iG”, përmes blerjes dhe zotërimit të 80.27% të kapitalit aksionar të shoqërisë “Albtelecom” sh.a., është përcjellë në fillim të këtij viti pranë Autoritetit të Konkurrencës. Në datën 14 Janar 2022 Komisioni i Konkurrencës, me anë të Vendimit nr.855, ka vendosur për Autorizimin e përqendrimit të realizuar nga përftimi i kontrollit nëpërmjet blerjes së 80.27% të aksioneve të shoqërisë Albtelecom sh.a., nga shoqëria 4iG.
Më tej, AKEP bën me dije se e ka vlerësuar këtë Marrëveshje në bazë të tre kritereve thelbësore ligjore: shmangia e deformimeve në konkurrencë; përdorimi efecient i spektrit të frekuencave; mbrojtja e interesit publik.
Në përfundim, AKEP gjykon se përpjesëtimi i ri i spektrit të frekuencave, i plotëson të tre kriteret e mësipërm, por edhe e rregullon më mirë spektrin. Sipas autoritetit marrëveshja sjell një balancim optimal të spektrit nga 59% me 41% në rreth 51% me 49% me dominues One Telecommunications Albania.
Në fund AKEP konkludon se në kuadër të shmangies së deformimeve në konkurrencë, rezulton gjithashtu nga marrëveshja se përpjesëtimi i ri i propozuar, përveçse gjen mirëkuptimin e palëve duke adresuar kështu shqetësimin e shfaqur në vendimin e Komisionit të Konkurrencës, garanton shmangien e barrierave të larta për hyrjen e një operatori të ri në treg, pasi një sërë brezash të përshtatshëm për zhvillimin e teknologjive 4G dhe 5G mbeten të lirë për t’u dhënë në përdorim.
Gjithësesi, duke se ky konkluzion nuk është përfundimtar, pasi vlerësimet reale duket se mund të bëhen vetëm në rast se një kërkesë e tillë paraqitet realisht. “Për sa i përket mundësisë së hyrjes në treg të një operatori virtual, AKEP çmon se kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi është i përshtatshëm për adresimin e ngërçeve që mund të shfaqen, por që nuk mund të parashihen apo të paragjykohen për aq kohë sa nuk ka një shprehje interesi nga një sipërmarrës potencial në këtë drejtim”, thekson Autoriteti i Komunikimeve Eelktronike dhe postare në vendimin e zbardhur për shkrirjen e dy operatorëve dhe ndarjen e re të spektrit të frekuencave.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.