Shtatë rekomandimet e OKB për “IA” – Masat për të trajtuar globalisht sfidat e inteligjencës artificiale
Kristi Ceta/SCAN
Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi një raport me shtatë rekomandime për të adresuar rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale. OKB-ja thekson nevojën për transparencë dhe bashkëpunim global për të rritur kapacitetet qeverisëse.
Një organ këshillues i inteligjencës artificiale në Kombet e Bashkuara publikoi raportin përfundimtar duke propozuar shtatë rekomandime për të adresuar rreziqet dhe boshllëqet e lidhura me teknologjinë e re në qeverisje.
OKB-ja vitin e kaluar krijoi një grup këshillues prej 39 anëtarësh për të trajtuar çështjet në qeverisjen ndërkombëtare të IA. Rekomandimet do të diskutohen gjatë një samiti të OKB-së që do të mbahet në shtator. Trupi këshillues bëri thirrje për krijimin e një paneli për të ofruar njohuri shkencore të paanshme dhe të besueshme rreth teknologjisë së re dhe adresimin e asimetrisë së informacionit.
Që nga prezantimi i ChatGPT i OpenAI i mbështetur nga Microsoft në vitin 2022, përdorimi i inteligjencës artificiale është përhapur me shpejtësi, duke ngritur shqetësime për nxitjen e dezinformatave, lajmeve të rreme dhe shkeljes së të drejtave të autorit.
Vetëm një pjesë e vogël e shteteve kanë krijuar ligje për të kufizuar përhapjen e mjeteve të kësaj teknologjie. Bashkimi Evropian ka qenë përpara të tjerëve duke miratuar një Akt gjithëpërfshirës, krahasuar me qasjen e Shteteve të Bashkuara të “pajtueshmërisë vullnetare”, ndërsa Kina ka synuar të ruajë stabilitetin social dhe kontrollin shtetëror.
Shtetet e Bashkuara ishin midis rreth 60 vendeve që miratuan një “projekt veprimi” për të qeverisur përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në ushtri më 10 shtator, ndërsa Kina nuk e mbështeti dokumentin.
Organizata rekomandoi një dialog të ri politikash, duke krijuar një shkëmbim të standardeve të teknologjisë dhe një rrjet global për të rritur kapacitetet qeverisëse.
Ndër propozimet e tjera, OKB-ja dëshiron që të krijohet një fond global, i cili do të trajtonte boshllëqet në kapacitet dhe bashkëpunim. Ajo gjithashtu kërkon formimin e një kuadri global të të dhënave për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.