“Shuhet” ura më e gjatë e Greqisë – Strukturës 3 kilometra i është hequr ndriçimi për të kursyer energji
Një nga urat më të gjata të botës që ndodhet në Greqi ka fikur dritat e saj dekorative në një moment kur qeveria bën thirrje për kursimin e energjisë, për shkak të rritjes së vazhdueshme të cmimeve.
Kabllot dhe shtyllat e urës 3 kilometra të gjatë përgjatë ngushticës së Gjirit të Korinthit, e cila zakonisht dallohet me kilometra larg, janë zhytur në errësirë.
E inaguruar në prag të Lojërave Olimpike të Athinës në vitin 2004, ura është një strukturë e famshme për shkak të pamjes së saj të vecantë, dhe është më e gjata në vend.
Dritat dekorative janë 800 nga 1500 që ka ura, pjesa e mbetur duhet të mbetet e ndezur për arsye sigurie. Por ka dhe mënyra të tjera kursimi sipas operatorit të mirëmbajtjes së saj. Shumë nga dritat tradicionale do të zëvendësohen me llampat led. Fikja e ndricimit dekorues do të kursejë 50 megavat orë energji në vit, ose 7% nga 52% e energjisë së konsumuar nga sistemi ndricues në urë. Gjithësesi kompania e mirëmbajtjes bën të ditur se kjo është më shumë një lëvizje simbolike për të inkurajuar njerëzit që shohin strukturën gjigande, që të kursejnë energji. Kompania shtoi se po planifikohet që ura të ketë burimin e saj të energjisë në të ardhmen, në formën e një parku fotovoltaik
Ndërtesat publike në vend gjithashtu kanë fikur dritat e tyre të jashtme dhe po marrin masa të tjera, pasi qeveria iu kërkoi bashkive dhe institucioneve shtetërore që të reduktojnë konsumin e energjisë. Ndërtesa e parlamentit në Greqi dhe Bashkia e Athinës kanë filluar të fikin ndricimin e jashtëm.
Synimi është reduktimi i konsumit të energjisë me 10% për sa i përket ndricimit të ndërtesave publike.
Bashkia e Athinës gjithashtu po zëvendëson 46 mijë llampa ndricuese me llampa led për të arritur objektivin e reduktimit të konsumit të energjisë me 60%: nga 25 milion kilovat orë në vit në 10 milion kilovat orë. Dhe në shkolla po vendosen llampa që konsumojnë më pak energji.
Si pjesë e programit shtetëror për kursimin e energjisë, qeveria greke iu ka kërkuar nënpunësve të veprojnë si monitorues energjie. Ata duhet sigurohen që dritat, kompjuterët, ngrohëset dhe kondicionerët të jenë të fikur në momentin që të gjithë largohen nga zyrat. Gjithashtu propozohet dhe krijimi i sa më shumë zonave në hije dhe një mirëmbajtje e rregullt e sistemeve ngrohëse dhe atyre freskuese, me shpresën për të reduktuar me 10% konsumin e energjisë brenda një kohe të shkurtër. Institucionet shtetërore janë paralajmëruar se do të përjashtohen nga fondet nëse nuk i zbatojnë masat e kursimit, ndërsa ata që i respektojnë do shpërblehen.
Një total prej 212 mijë institucione shtetërore konsumojnë 5.340 gigavat orë energji në vit, rreth 10.8% të konsumit total të energjisë në Greqi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.