Si i ndikoi lufta marrëdhëniet tregtare me Ukrainën? – Importet u luhatën lehtë në dy vite, me Rusinë gati 3 herë më pak
Kanë kaluar dy vite nga lufta në Ukrainë dhe Shqipëria si pjesë e Europës nuk ka qenë e imunizuar nga ndikimi që kanë patur këto ngarje. Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është konsideruar jo vetëm si rrezik dhe cënim i rendit juridik europian, por efektet e saj janë shtrirë akoma dhe më gjerë duke prekur ekonomitë e vendeve.
Pesha e Ukrainës dhe Rusisë në furnizimin me ushqime të Europës, por jo vetëm, është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit ka sjellë vështirësi në tregjet europiane dhe patjetër ka ndikuar tek konsumatori dhe çmimet, gjë që është vënë re edhe në nivelin e inflacionit në vendin tonë.
Por si ka ndikuar kjo luftë në Shqipëri? “Scan Intel” ka analizuar shifrat e tregtisë së jashtme për të kuptuar se si ka ndryshuar pesha e importeve për të dy vendet dhe si janë pozicionuar në hartën tonë të tregtisë që nga viti 2005 deri në vitin 2023.
Ajo që vihet re nga të dhënat e përpunuara nga “Scan Intel” është një luhatje e lehtë peshës së Ukrainës ndaj importeve në Shqipëri. Shifra regjistrohet pranë 0.5% gjatë vitit 2023, nga 0.4% në vitin 2022. Ndërkohë, sipas të dhënave, në vitin 2021 pesha e Ukrainës në totalin e importeve ishte 0.5%, ndërsa në vitin 2020 në 0.7%.
Në terma absolutë ndërkohë, pas luftës, pra në vitin 2022, Ukraina numëron 4.1 miliardë lekë importe në Shqipëri, ndërkohë në vitin 2023 janë rreth 4.3 miliardë, dukë shënuar një rritje të lehtë. Nga të dhënat historike vihet re se viti 2006-të ka regjistruar peshën më të lartë të Ukrainës në totaline importeve, me 3.8%.
Nga ana tjeër shohim përgjysmimin e peshës së Rusisë në importe në vitin 2023. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” pesha e Rusisë në totalin e importeve në vitin 2021 ishte 1.9%, ndërkohë që në vitin 2022 kjo peshë ra në 1.1%.
Përpara luftës, flitej për rreth 15 miliardë lekë importe në vitin 2021, ndërsa në vitin 2022 kjo shifër preku vlerën e rreth 11 miliardë lekë, pra 4 miliardë lekë më pak. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 pesha e Rusisë në tortën e importeve me Shqipërinë u vlerësua në 0.5%, ose rreth 4.4 miliardë lekë në vlerë. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2005 për të cilin INSTAT disponon të dhënat e fundit. Viti 2008 regjistron nivelin më të lartë të importeve të Shqipërisë me Rusinë me një peshë të saj ndaj totalit në 4.4%.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.