Siguria e Inteligjencës Artificiale – Britania e Madhe organizon samitin e parë global
Britania e Madhe do të presë një samit global për sigurinë e inteligjencës artificiale këtë vjeshtë. Lajmi u konfirmua nga qeveria britanike duke shtuar se kryeministri Rishi Sunak dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden do të diskutojnë gjithashtu dhe për teknologjinë në takimin e tyre.
Samiti do të shqyrtojë rreziqet e IA, përfshirë sistemet kufitare, dhe do të diskutojë se si ato mund të zbuten përmes veprimeve të koordinuara ndërkombëtarisht.
Disa qeveri po shqyrtojnë se si të zbusin rreziqet e teknologjisë në zhvillim, e cila ka përjetuar një bum në investime dhe popullaritet tek konsumatorët në muajt e fundit pas lëshimit të ChatGPT të OpenAI.
Kjo përfshin Kinën, ku qeveria po kërkon të aplikojë një rregullore për inteligjencën artificiale, sipas miliarderit Elon Musk, i cili u takua me zyrtarë gjatë udhëtimit të tij të fundit në Kinë.
Rregullatorët globalisht janë përpjekur të hartojnë norma që rregullojnë përdorimin e IA gjeneruese, e cila mund të krijojë tekst dhe imazhe, ndikimin e të cilave përkrahësit e krahasojnë me ardhjen e internetit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.