Sigurimi i mjeteve motorike, cili prej qarqeve kryeson? – Korçarët lidhën më tepër kontrata, por shpenzuan më pak para’
Ledina Elezi/SCAN
Pas Tiranës, Korça është qarku që ka regjistruar numrin më të lartë të kontratave për sa i përket sigurimit të përgjegjësisë ndaj palëve të treta, i cili mbulon dëmet materiale dhe shëndetësore që mund t’u shkaktohen palëve të treta, si rezultat i përdorimit të automjeteve nga mbajtësit e mjeteve motorike.
Konkretisht, rreth 1 milionë është totali i kontratave për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ku 446 mijë numërohen në Tiranë dhe gati 114 mijë në qarkun e Korçës. Më pas vjen Durrësi me 96 mijë kontrata, ndërsa Berati dhe Kukësi janë dy qarqet me numrin më të vogël, përkatësisht me 23 mijë dhe 11 mijë kontrata.
Pavarësisht se Korça ka regjistruar një numër më të lartë kontratash se Durrësi, është ky i fundit ai që ka regjistruar vlerën më të lartë të primeve të shkruara bruto pas Tiranës. Kjo tregon se durrsakët kanë paguar më shumë se korçarët për sigurimin e mjeteve motorike.
Në shifrën totale të sigurimit të përgjegjësive ndaj palëve të treta, MTPL-ja e brendshme zë përqindjen më të madhe të kontratave të sigurimit, përkatësisht 63%, ndërsa kartoni jeshil dhe sigurimi kufitar përbëjnë 27% dhe 9% të totalit.
Produkti MTPL e brendshme për mjetet që përfshihen në aksidente dhe ku personi është përgjegjës për dëme materiale, pasurore apo shëndetësore ndaj dikujt tjetër, përveçse në Tiranë dhe Durrës, ka regjistruar një numër të lartë kontratash edhe në qarkun e Fierit.
Për sa i përket Kartonit Jeshil, nga të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rezulton se dibranët janë të tretët në rang vendi që e sigurojnë më tepër makinën kur udhëtojnë jashtë Shqipërisë. Kryesimin vazhdojnë ta mbajnë qarku i Tiranës dhe Korçës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.