Skema për pensionistët që punojnë – Eksperti: Duhet të rishikohet, preken 200 mijë të moshuar
Vetëm duke shtyrë kohën e daljes në pension, pensionistët mund të përfitojnë 6 për qind shtesë mbi masën e përfitimit. Kjo, pasi çdo vit pune, pas pragut 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 8 muaj për gratë, çon në rritjen e pensionit.
Skema në fuqi përcakton që shtesa të jetë me 0.5 për qind në muaj ose 6 për qind në vit, me përjashtim të rasteve kur pensionistët zgjedhin që në të njëjtën kohë të marrin edhe pagën, edhe pensionin. Ndërkohë që në asnjë rast ata nuk janë të zhveshur nga detyrimi për të derdhur kontributet si çdo i punësuar tjetër.
Eksperti fiskal Ramadan Kondi thotë se janë rreth 200 mijë persona të cilët edhe pse kanë mbushur moshën e daljes në pension, vijojnë që të jenë pjesë e tregut të punës. Kondi thotë kjo skemë duhet të rishikohet, duke ju dhënë mundësinë pensionistëve që të marrin krahas pensionit dhe pagës dhe një shtesë për të nxitur në këtë mënyrë edhe formalizimin e tyre.
Derdhja e kontributeve nga ana e pensionistëve që vijojnë të jenë pjesë e tregut të punës ka qenë herë pas herë objekt diskutimi, por çdo nismë e ndërmarrë ka mbetur sirtarëve pa mundur të zyrtarizohet.
E fundit ishte në 2018, ku përmes një drafti për disa ndryshime në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, të hedhur për konsultim, propozohej që pensionistët të përfitonin në të njëjtën kohë edhe pagën, edhe pensionin, ndërsa në momentin që shkëputej kontrata, të aplikohej një shtesë me 2.4 për qind për çdo vit pune, të kryer pasi ishte mbushur mosha e daljes në pension.
Përmes kësaj skeme, justifikohej deri diku pagesa kontributeve. Por ky draft, edhe pse u mirëprit nga ekspertët, nuk kaloi për miratim.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.