Spanja, drejt klimës së shkretëtirës – Ditët e verës janë rritur me 43% në 50 vitet e fundit
Kristi Ceta/SCAN
Spanja po shkon gjithmonë e më shumë drejt një klime të shkretëtirës, sipas një studimi të ri mbi marrëdhëniet midis ngrohjes globale dhe thatësirës. Vendi mesdhetar është në vijën e parë të ndryshimeve klimatike në Evropë. Ndaj, studiuesit në Universitetin Politeknik në Barcelonë kanë analizuar thellësisht situatën aktuale.
Deri në vitin 2050, ata parashikojnë se reshjet do të ulen deri në 20 për qind në krahasim me nivelet aktuale. Kjo do ta kthente Spanjën nga një klimë e butë mesdhetare në një klimë stepë apo edhe shkretëtire, sipas sistemit Köppen, i cili e ndan botën në pesë zona të ndryshme klimatike bazuar në rritjen e bimëve.
“Procesi i ngrohjes që rezulton nga ndryshimet klimatike ka qenë shumë i theksuar në kontinentin e Spanjës dhe Ishujt Balearikë”, shkruajnë studiuesit. Midis 1971 dhe 2022, temperaturat në tokën spanjolle janë rritur me 3.27°C. Kjo shifër është ndjeshëm mbi mesataren botërore prej 1,19°C dhe mesataren mesdhetare prej 1,58°C.
Ditët e verës, ku temperatura maksimale ditore është 25°C ose më lart, u rritën nga 82,4 në 1971 në 117,9 në 2022: një rritje prej 43 për qind. Në mbi gjysmë shekulli, vera është zgjeruar me mesatarisht 36 ditë në të gjithë Spanjën. Ndërkohë netët tropikale, ku temperatura nuk bie nën 25°C, u rritën nga 1.73 në 14.12.
Për sa i përket valëve të të nxehtit, frekuenca e këtyre periudhave të nxehta është rritur nga më pak se një në vit mesatarisht midis 1971-1980, në pothuajse dy brenda vitit në dekadën 2013-2022. Valët e të nxehtit janë bërë gjithashtu më të gjata, nga tre në nëntë ditë mesatarisht.
Studimi tregon një lidhje të fortë midis rritjes së temperaturave dhe uljes së reshjeve në Spanjë gjatë 50 viteve të fundit. Midis 1971 dhe 2022, reshjet u zvogëluan me një normë prej 0.93 mm në vit, duke e çuar vendin drejt periudhave të mëdha të thatësirës. Në të njëjtën kohë, reshjet ekstreme (më shumë se 60 mm/ditë) janë rritur në pjesën më të madhe të Spanjës. Këto rrebeshe mund të shkaktojnë përmbytje dhe nuk kompensojnë thatësirat.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.