“Spital i autorizuar” për shitjen e mishit në BE? – Qeveria zbulon arsyen pse nuk eksportohen produktet shtazore
Eksportet shqiptare të produkteve shtazore janë ende në nivele të ulëta duke mos qenë në të njëjtën linjë me tregtinë e produkteve bujqësore në rajon dhe ne Europë. Në draftin e hartuar nga qeveria mbi reformat ekonomike 2023-2025, konstatohet se kjo ndodh për faktin se për eksportimin e produkteve të tilla në BE, është e nevojshme që të jetë një “spital i autorizuar” sipas kërkesave të BE-së.
Sipas dokumentit, për të zgjeruar potencialin e eksportit të llojeve të ndryshme të produkteve te palët e CEFTA-s, është në fokus hartimi i një kuadri për ndërmarrjet në sektorët e autorizuar për tregti ndërmjet palëve të CEFTA-s dhe rregulla të harmonizuara për certifikatat veterinare për produktet e konsumit njerëzor, gjë që është pilotuar për mjaltin dhe produktet e bletarisë, si dhe unifikimin e kërkesave dhe certifikatave veterinare.
Po ashtu në dokument theksohet se eksportuesit shqiptarë po përballen me çështje të vlerësimit të konformitetit në tregun e rajonit, për shkak të nevojës për të përmbushur kërkesat shtesë të dokumentacionit dhe markimit, edhe pse produktet e eksportuara kanë markimin CE.
Në këtë drejtim, në dokument nënvizohet se, në kuadër të CRM-së, po punohet në fushën e infrastrukturës së cilësisë, veçanërisht në hartimin e një kuadri për njohjen e rezultateve të vlerësimit të konformitetit të produkteve industriale ndërmjet palëve të CEFTA-s.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.