Steinmeier: Shqipëria partner me rëndësi por lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vendimtare për progresin drejt BE-së!
Presidenti federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, deklaroi të enjten në Tiranë se Gjermania dhe Shqipëria “do të përforcojnë lidhjen e veçantë mes tyre.” Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ai e cilësoi Shqipërinë një ”vend mik dhe partner të rëndësishëm të Gjermanisë dhe BE.” “Në 30 vjet Gjermania dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Pritshmëritë janë rritja dhe forcimi i tyre” vuri në dukje Presidenti Steinmeier.
Ai vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbrojtjen kolektive dhe angazhimin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, “në një periudhë jo të lehtë” vuri ai në dukje. Presidenti Steinmeier e cilësoi vizitën e tij të sotme në Tiranë, e cila është e para e një presidenti të Gjermanisë në 27 vitet e fundit, si ”vizitë që njeh dhe respekton ꞔfarë ka arritur Shqipëria në rrugën e saj drejt BE dhe një inkurajim për të vazhduar në rrugën e nisur”
Steinmeier përmendi në prononcimin e tij për mediat se Gjermania e ka shoqëruar Shqipërinë në “afrimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve me BE.” “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vendimtare për progres drejt BE-së. “Premtoj që në kontekstin e reformave për integrimin europian se Gjermania do të vijojë të mbështesë Shqipërinë që të bëhet sa më parë anëtare e BE” tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ai përmendi mbështetjen gjermane në kryerjen e reformës në drejtësi dhe atë elektorale si dhe vlerësoi lart 3 marrëveshjet e nënshkruara së fundi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) në kontekstin e Procesit të Berlinit që ” do ta bëjnë rajonin më tërheqës, konkurrues dhe do të mundësojnë ngritjen e tregut të përbashkët rajonal” theksoi ai.
“Këto marrëveshje duhet të zbatohen konkretisht dhe jo të mbetem vetëm marrëveshje politike” tërhoqi ai vëmendjen. Ai tha se vitin e ardhshëm Samiti i Procesit të Berlinit do të zhvillohet në Tiranë. Ai gjithashtu u ndal edhe në krizën aktuale energjetike për shkak të luftës në Ukrainë. “Gjermania dhe BE janë angazhuar të japin mbështetje Shqipërisë dhe do të jenë në krah të saj”, premtoi ai.
Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier, tha lidhur me nismën “Ballkani i Hapur” se “ꞔdo kontribut që ul konfliktet në rajon është i mirëpritur.” Presidenti i Shqipërisë Begaj e vlerësoi Procesin e Berlinit “shumë të rëndësishëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”. Për nismën “Ballkani i Hapur” ai tha që “Shqipëria ka qenë gjithmonë pjesë e organizmave rajonale”.
Lidhur me samitin BE-BP që pritet të zhvillohet javën që vjen, më 6 dhjetor në Tiranë, Presidenti gjerman tha se “nuk do të merren vendime të caktuara. Do të jepet inkurajim që të vazhdohet në rrugën drejt integrimit në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë se me çfarë të krenohen në këtë samit”, theksoi ai. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.