Suki, 70 mln USD për asistentë të “IA” në shëndetësi – Startup-i planifikon të përdorë financimin për zhvillimin e produktit inovativ
Kristi Ceta/SCAN
Suki, një startup që synon të ndërtojë asistentë të inteligjencës artificiale në sistemin shëndetësor, ka mbledhur 70 milionë dollarë në një raund financimi.
Ky raund u drejtua nga firma e investimeve teknologjike me bazë në Londër, Hedosophia, me investime shtesë nga Venrock dhe March Capital. Kjo e çon financimin total të Suki-t në 165 milionë dollarë.
Startup-i me bazë në Redwood City, Kaliforni, nuk e bëri të ditur vlerësimin e vet, por burimet thonë se të ardhurat e fundit e vlerësonin kompaninë rreth 500 milionë dollarë.
Themeluar në vitin 2017 nga ish-ekzekutivi i Google dhe Flipkart, Punit Soni, Suki zhvillon asistentin e zërit të inteligjencës artificiale për të reduktuar ngarkesën administrative për ofruesit e kujdesit shëndetësor. Produktet kryesore Suki Assistant dhe Suki Platform kanë parë rritje të përdorimit që nga zhvillimi i shpejtë i ChatGPT të OpenAI, pasi sistemet e kujdesit shëndetësor eksplorojnë se si teknologjia mund të ndihmojë më mirë punën klinike të mjekëve.
“Kur filloi trendi i inteligjencës artificiale, çdo sistem shëndetësor donte të kishte një strategji të kësaj teknologjie,” tha Soni.
Kompania kapitalizoi kërkesën, duke thënë se tani ka krijuar partneritete me shumë sisteme shëndetësore. Suki gjithashtu promovon integrimin më të gjerë të sistemeve të Regjistrimit Elektronik të Shëndetit, duke punuar me Epic, Cerner në pronësi të Oracle, Athena, si dhe me MEDITECH.
Kreu i kompanisë tha se financimi i fundit do të përdoret për të përshpejtuar zhvillimin e produktit, duke shtuar më shumë veçori tek asistenti e duke ndërtuar mjete për të menaxhuar përdorimin e modeleve të shumëfishta të IA.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.