Surpriza e hidhur për Shell, 2 miliard dollarë taksa shtesë – Kompania regjistroi fitime rekord pavarësisht reduktimit të prodhimit
Fitimet nga operacionet e tregtimit të gazit natyror të lëngshëm të Shell, konsiderohen të jenë shumë të larta në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas, pavarësisht një reduktimi të mprehtë të prodhimit për shkak të ndërprerjeve të aktiviteteve në centrale.
Përditësimi i llogarive të kompanisë më të madhe europiane të gazit dhe naftës para publikimit të tyre të plotë në 2 shkurt, konfirmoi se Shell do të paguajë 2 miliardë dollarë taksa shtesë për vitin 2022. Disa qeveri në të gjithë Europën dhe Britani kanë vendosur taksa të përkohshme për kompanitë e energjisë për të frenuar fitimet e tepërta pasi çmimet e energjisë janë rritur që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Vëllimet e lëngëzimit të gazit për tremujorin e katërt pritet të jenë më të ulëtat që nga koha kur kompania bleu ‘BG Group” në vitin 2016 për një vlerë prej 53 miliardë dollarë. Kjo duke shënuar një rënie mes 6.6 dhe 7 milionë ton si rezultat i ndërprerjeve të zgjatura në dy fabrikat kryesore të kompanisë në Australi.
Por, Shell, tregtuesi kryesor i gazit të lëngshëm në botë, deklaroi se rezultatet e saj të tregtimit janë në mënyrë të dukshme më të larta në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa rezultatet e tremujorit të tretë të kompanisë u dëmtuan nga performanca më e dobët e rafinimit dhe një rënieje në tregtim.
Divizioni i tregtimit të gazit të lëngshëm regjistroi një humbje prej gati 1 miliard dollarë në tremujorin e tretë pasi tregtarët u zunë në befasi nga rritja e papritur dhe e fortë e cmimeve të gazit në Europë, për shkak se Rusia ndërpreu furnizimet.
Megjithatë, kjo situatë nuk e pengoi Shell të jetë në rrugën e duhur për një fitim vjetor rekord në 2022-shin, pas konfirmimit të fitimeve prej 30 miliardë dollarë në tre tremujorët e parë, ndonëse më pak nga fitimi rekord i vitit 2008 prej 31 miliard dollarësh.
Kompania bëri të ditur se parashikon që rezultatet e tregtimit të produkteve të naftës në tremujorin e katërt të jenë më të ulëta në krahasim me tremujorin e tretë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.