Tapia për shtëpitë, hapat dhe dokumentet që duhen – Skema e re për legalizimin e mbi 136 mijë ndërtimeve që janë në proces. Roli i bashkive
Ada Hazizolli/ SCAN
Prej muajit shtator do të nisë një fazë e re për të gjitha ndërtimet informale, të cilat janë në proces për të marrë tapinë. Me ndryshimet e bëra, ‘në lojë’ janë përfshirë edhe bashkitë, të cilat do të koordinojnë punën mes qytetarëve dhe Agjencisë së Kadastrës. Konkretisht bashkitë, do të vendosin prioritetet dhe ritmin e planit të punës, ç’ka do të thotë se do të përcaktojnë, se cilat zona do të kenë përparësi për të përmbyllur praktikën e legalizimit. Por, po ashtu do të asistojnë qytetarët për plotësimin e dokumentacionit, do të koordinojnë komunikimin midis palëve, si edhe do të vendosin në dispozicion burime financiare dhe njerëzore shtesë në rastet kur do të jetë e nevojshme. Por cilat janë hapat që do të ndjekin qytetarët dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë?
Përveç vetëdeklarimit, duhet po ashtu certifikatë e gjendjes familjare në kohën e vetëdeklarimit, fotografi e objektit 4 copë, fotografi të shtesës, dokument pronësie mbi truallin (nëse ka), dokument për objektin ekzistues, dokument pronësie mbi truallin, gjendja juridike e parcelës ndërtimore dhe aktmarrëveshjet me pronarët e truallit për ndërtimin kryesor, akt-ekspertiza duke identifikuar dhe ofruar listën e ekspertëve, kopje e faturave financiare dhe mandat pagesat për pacelën ndërtimore, deklaratë noteriale, akte ligjore të përdorura gjatë procedurës së legalizimit si edhe aktmarrëveshjet për njësitë e ndërtimit dhe lejën zhvillimore dhe dokumentacioni tekniko-ligjor i saj.
Sa u takon hapave, që do të ndiqen nga qytetarët: paraqitja e kërkesës për legalizim duhet të shoqërohet me dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm. Pas kësaj, punonjësit e Kadastrës kryejnë verifikimin paraprak dhe atë në terren. Kryhet vlerësimi tekniko-ligjor dhe marrin vendimin për ta përfshirë apo për ta skualifikuar dosjen nga procesi.
Kur kërkesa gjen aprovim, atëherë përgatitet fatura dhe pas likujdimit të faturës bëhet edhe lëshimi i certifikatës së pronësisë.
Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” ka përcaktuar edhe afate konkrete për përmbylljen e procedurave të legalizimit. Kështu, do të duhen vetëm dy muaj për t’u pajisur me certifikatë pronësie, dhe nëse do të ketë nga ata që duan ta mbyllin këtë praktikë më shpejt, mund ta bëjnë këtë përkundrejt një tarife shtesë. “ASHK-ja, brenda 60 ditëve nga përfundimi i procedurave të kualifikimit, ligjëson ndërtimin, duke respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi për regjimet pasurore martesore, sipas gjendjes të momentit të aplikimit për ligjësim. Poseduesi i ndërtimit pa leje ka të drejtë të kërkojë përfundimin e procedurave administrative brenda 30 ditëve, nga paraqitja e kërkesës, kundrejt pagesës së një tarife shërbimi shtesë”, saktësohet në ligj. Janë më shumë se 230 mijë ndërtesa pa leje në të gjithë vendin, pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Këtu përfshihen edhe më shumë se 90 mijë objekte, të cilat bien ndesh me kriteret e kualifikimit, për pasojë nuk mund të legalizohen.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.