Të gjithë shqiptarët të dhënë pas internetit – Për videothirrje e lexim lajmesh, por edhe blerje online
Përdorimi i internetit në Shqipëri ka shënuar rritje nga një vit më parë duke bërë që pothuasje të gjithë shqiptarët të kenë akses në përdorimin e tij. 82.9% e qytetarëve të moshave 16-74 vjeç e përdorin internetin ndërkohë rreth 91,6 % e tyre e përdorin disa herë gjatë ditës.
Kjo vlerë vjen në rritje si pasojë e përdorimit më të tepërt të pajisjeve celular apo telefonave inteligjent ku sipas INSTAT bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit gjatë vitit 2022, rreth 99,9 % e individëve kanë përdorur aparat celularë / telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet. Ndërkohë 23,5 % e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit.
Dërgimi / marrja e email-it (11,4 pikë përqindje), për të lexuar lajme online / gazeta apo revista (11,3 pikë përqindje) si dhe pjesëmarrja në konsultime apo votime online për çështje shoqërore apo politike (rreth 10,3 pikë përqindje) janë aktivitetet që kryejnë më shumë shqiptarët në internet.
Videothirrjet (përmes Skype, Viber, WhatsApp) gjithashtu janë shumë të përdorura ku “gjatë tre muajve të fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, vihet re se 98,5 % e popullsisë 16-74 vjeç kryejnë thirrje /video thirrje. Grupmosha 25-34 vjeç ka shënuar përqindjen më të lartë 24,5% ndjekur nga grup-mosha 16-24 vjeç 18,7%.
Blerjet online nuk ngelen pas. Ky aktivitet është kryer nga 34,7 % e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç “në 12 muajt e fundit”, nga momenti i kryerjes së intervistës, tregues i cili ka shënuar një rritje prej rreth 13,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021. Ndër blerjet “online”, shërbimet që zënë peshën më të madhe janë rroba / këpucë / aksesorë me 90,8 %, të cilat kanë treguar një rritje nga viti 2021 me 1,9 pikë përqind.
Një rritje në përdorimin e internetit ka regjistruar dhe mosha 65 deri në 74 vjeç ku nëse një vit më parë nuk e përdornin 36,9 %, treguesi është zvogëluar 14,2 pikë përqind. Gjithashtu familjet shqiptare kanë rritur aksesin në internet duke arritur në 96,5%, krahasuar me 88,3% në 2021.
Marinela Lina/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.