TEC-et lundrues, “larg” funksionimit – Pas 1 viti, ende në fazë licencimi. U tenderuan me emergjencë për përballimin e krizës
U tenderuan përmes një procedure emergjente në kuadër të krizës energjetike 1 vit më parë, por termocentralet lundrues nuk janë ende gati për të nisur funksionimin. Kjo pasi, ende këto impiante, që do të gjenerojnë energji përmes karburantit nuk janë licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë.
Ky dikster nisi proceduart e licencimit vetëm në fund të dhjetorit që sapo lamë pas, ndërkohë që referuar vendimit TEC-i i përbërë nga 2 gjeneruesit Tigri 1 dhe Tigri 3, në rast të plotësimit të kriterve do të marrë licencën për një afat 2-vjeçar.
Ky TEC parashikohet të ketë një fuqi të instaluar 110-130 MW, ndërkohë që në kuadër të licencimit, Enti Rregullator i Energjisë ka ftuar palët e interesuara të shprehin opinionet dhe komentet e tyre me shkrim, deri në datën 08.01.2023.
Referuar të dhënave të bëra publike më herët, impianti termik do të përdorë karburant të lëngshëm, si gasoil ashtu edhe mazut/solar për të gjeneruar energjinë, ndërkohë që përfaqësues të qeverisë kanë argumentuar vazhdimisht se kostot do të jenë më të ulta se ato në bursa.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik sesa do të të arrijë kosto për 1 mWh. Aktualisht është deklaruar se qiraja ditore do të jetë 63,000 USD, ndërsa vlera ditore e Operimit dhe mirëmbajtjes së asetit do jetë 31,500 USD.
Karburanti do të duhet të sigurohet nga KESH, por kostot nuk janë bërë publike, ndërkohë që nevoja për funksionimin e këtij impianti është argumentuar me diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.