‘Terminal i ri’ pasagjerësh në Tiranë – 820 milionë lekë për sipërfaqen 50 mijë metra katrorë
Terminali i Transportit publik të Tiranës do t’i nënshtrohet një investimit terësor. Për këtë qëllim është hapur tenderi 820 milionë lekë që parashikon krijimin e një godinë për pasagjerët dhe të një parkingu të ri për autobuzët
Terminali Verior i Transportit Publik në Tiranë do t’i nënshtrohet transformimit. Bashkia e Tiranës ka nisur procedurat e tenderit me fond limit 820 milionë lekë për transformimin e terminalit që ndodhet te mbikalimi i Kamzës. Projekti parashikohet të realizohet brenda 24 muajve, në një sipërfaqe 50 mijë metra katrorë.
Ndërtimi i këtij terminali ka si qëllim sistemimin e autobuzëve që realizojnë mbulimin e shërbimit të transportit të linjave për jugun, Shqipërinë qendrore dhe veriore, si dhe ato ndërkombëtare që kryejnë itineraren e hyrje-daljeve nëpërmjet akseve Tiranës-Durrës dhe Tiranë-Kamëz.
Veç parkingut të ri për autobuzët parashikohet të ndërtohet një godinë 1 kateshe ku do të përfshihet biletaria, hapësirat tregtare dhe hapësirat e qendrimit të pasagjerëve. Krahas godinës 1 katëshe, do të ndërtohet edhe një kullë kontrolli, 3 kateshe.
Ky Terminal ka aktualisht një kapacitet të përbërë prej 30 vende nisje për zonën e jugut; 19 vende nisje për zonën e veriut; 5 vende të destinuara për zbritjen e pasagjerëve dhe 45 vende të destinuara për parkim.
Aktualisht në zonën e jugut operojnë gjithsej 33 destinacione, ndërsa për zonën e veriut operojnë 17 destinacione.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.