Trafiku, do të monitorohen 200 km rrugë – Balluku: Përfshihen 3 akse, të dhënat do shërbejnë edhe për projektet e ardhshme rrugore
Ola Mitre / SCAN
Në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut po kryhen punimet e fundit për instalimin e sistemeve kompjuterike, përmes së cilave do të kryhet monitorimi 24 orë në 7 ditë të javës i disa prej akseve rrugore kryesore të vendit. Do të nisë fillimisht monitorimi i 200 kilometrave të para ku përfshihet aksi rrugor Tiranë-Elbasan, i gjithë aksi nga Tirana deri në Vlorë, si dhe segmenti Vorë – aeroporti i “Nënë Tereza”, për të vijuar më tej edhe me segmentet e tjera rrugore.
“Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, një nukël e re e cila do të përfshijë brenda saj 4 nga ministritë kryesore me agjencitë përkatëse që ndikojnë në trafikun rrugor shqiptar, por edhe në disa komponentë të tjerë që sigurisht kanë të bëjnë me sigurinë rrugore. Bëhet fjalë për një Qendër model, një Qendër moderne e cila do të kontrollojë trafikun në akset kombëtare. E kemi nisur me 200 kilometrat e parë dhe bëhet fjalë për akset më të rëndësishme”, – u shpreh Balluku.
Kjo Qendër do të ketë pjesë të saj punonjës nga ARRSH, DPSHTRR, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, AKSHI dhe Urgjenca Kombëtare, të cilët do të përpunojnë në kohë reale të gjitha të dhënat që do të vijnë përmes kamerave, që do të instalohen në disa nga pika kyçe të akseve rrugore. Ndërkohë që të dhënat e administruara prej saj do të shërbejnë edhe si një udhërrëfyes për projektet e ardhshme në infrastrukturën rrugore, si dhe do të evidentojë edhe pikat ku duhet ndërhyrë për të përmirësuar parametrat e sigurisë.
“I gjithë procesi që do të ndodhë këtu do të shërbejë edhe si një udhërrëfyes i bazuar në raporte, në data dhe në fakte, për të përmirësuar cilësinë e sistemit tonë rrugor dhe nga ana tjetër për të përmirësuar edhe të gjithë punën e njësive operacionale, qofshin këto të Policisë Rrugore apo të drejtorive rajonale të ARRSH-së. Kështu që këtu kemi disa komponentë të rëndësishëm që do të na ndihmojnë në punën tonë për të rritur sigurinë rrugore, por nga ana tjetër për të bërë investime në mënyrën e duhur dhe për të eliminuar të gjithë ato problematika që sot mund të ketë sistemi rrugor”, – tha Balluku.
Krahas punimeve në godinën e QKMT po punohet edhe në akset rrugore ko do të vendosen kamerat dhe monitorët.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.