Tregjet e aksioneve zgjerojnë fitimet – Investitorët po presin të dhënat mbi punësimin në SHBA për qershorin
Bursat europiane janë hapur në rritje në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e një dite më parë. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 fitoi rreth 1.7% të vlerës në sesionin e kaluar, ndërsa performancën më të mirë e realizoi sektori i medias dhe shitjeve me pakicë, në rritje me rreth 3%. Aksionet e Just Eat Takeaway u rritën me rreth 15%, pasi Amazon ra dakord të blejë 2% të degës së saj në Shtetet e Bashkuara, GrubHub.
Edhe kompania franceze, EDF, u rrit me më shumë se 14%, pasi qeveria në këtë vend njoftoi se do të shtetëzojë 100% të aksioneve të kompanisë. Megjithatë, kujdesi është i lartë për shkak të frikës për një recesion në Eurozonë. Indeksi Sentix i moralit të investitorëve preku nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2020, duke sugjeruar një rënie ekonomike.
Në Mbretërinë e Bashkuar, investitorët po ndjekin nga afër zhvillimet politike, pasi kryeministri Boris Johnson po përballet me një largim masiv të ministrave të tij. Ndër të dhënat ekonomike, shitjet me pakicë në Eurozonë u rritën me 0.2% në maj, një shifër me e ulët se parashikimet e analistëve.
Gjithashtu, tregjet po presin edhe të dhënat mbi punësimin në SHBA për qershorin, që do të publikohen të premten. Analistët parashikojnë se, ekonomia më e madhe në botë do të ketë krijuar edhe 250 mijë vende të reja pune, nga 390 mijë që krijoi në maj.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.